Të martën do të dihen emrat zyrtarë të zëvendësministrave. Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë, Artan Grubi theksoi se në fillim të javës që vjen kuadrot e eshalonit të dytë do t’i kalojnë filtrat përfundimtar partiak dhe më pas do t’i propozohen Kuvendit.

“Besoj që nesër ose pasnesër do t’i keni emrat në opinion”– deklaroi Artan Grubi, Zëvendëskryeministër.

Emrat e drejtorëve nuk janë caktuar, por sipas Grubit janë shkëmbyer ndërmarrjet publike mes BDI-së dhe LSDM-së me qëllim menaxhimin më efikas.


“Pozitat e drejtorëve nuk janë bërë por janë bërë disa këmbime. Ne kishim 5 pozita të drejtorëve dhe i kemi këmbyer me 5 drejtori të tjera me LSDM. Fondin Pensional që e kemi drejtuar për një dekadë e kemi këmbyer me Ndërmarrjen Publike për Rrugë Shtetërore, apo Postën Kombëtare me MEPSO-n”– pohoi Artan Grubi, Zëvendëskryeministër.

Edhe pse emrat e zv/ministrave nuk janë shpalosur zyrtarisht, sot sërish u publikuan emrat në Ministrinë e Punëve të Brendshme përflitet Nazim Bushi, në Drejtësi, Agim Nuhiu, në Shëndetësi, Ilir Hasani, në Transport dhe Lidhje, Bekim Rexhepi dhe në Mbrojtje Bashkim Hasani. Ndërkohë Lëvizja Besa dhe PDSH si pjesë e koalicionit qeverisës kanë caktuar emrat e zëvendësministrave, ndërsa në LSDM akoma zhvillohet debat brenda partiak. Pas emërimit të zëvendësministrave, Qeveria pritet t’i emërojë drejtorët, ndërsa do të caktohen edhe sekretarët shtetërorë.

By B I