Zbulohen detaje nga mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Një temë e rëndësishme e debatit që është zhvilluar në këtë mbledhje mes kryeministrit Edi Rama dhe kryedemokratit Basha ka qenë çështja e anulimit të koncesioneve.

Basha ka kërkuar rritjen nga qeveria të buxhetit që i vjen në ndihmë ekonomisë dhe qytetarëve, duke pasur si moto kryesore “ruajtjen me çdo kusht të vendeve të punës”. Burimet bëjnë të ditur se Rama ka deklaruar se “qeveria nuk ka më shumë mundësi sesa ka bërë dhe po bën me paketën e zgjeruar të ndihmës”.

Ky qëndrim nuk është pranuar si realist nga kreu i opozitës. Basha ka argumentuar se qeveria ka mjaftueshëm parà për të shtuar fondin e ndihmës. Ai ka përmendur fondet e koncesioneve, duke i kërkuar kryeministrit të vendosë për anulimin e tyre.

“Le të marrim për shembull koncesionet dhe PPP-të për 3 inceneratorët” – mësohet të jetë shprehur Basha duke shtuar: “Vetëm anulimi i tyre lehtëson buxhetin nga një barrë prej qindra milionë euro në vite dhe afro 20 milionë vetëm këtë vit”– është shprehur Basha.

Mësohet se Kryetari i PD ka përmendur edhe shumën totale prej 120 milionë USD për koncesionet e tjera këtë vit që ai kërkon të anulohen për të shpëtuar ekonominë e vendit nga kriza dhe për të mos shkuar drejt mbylljes së detyruar të mijëra vendeve të punës.

Burime të besueshme bëjnë të ditur se kryeministri Rama ka refuzuar në mënyrë kategorike anulimin e koncesioneve dhe PPP-ve të inceneratorëve të Elbasanit, Fierit dhe Tiranës. Kreu i qeverisë nuk ka dhënë asnjë argument për mosanulimin e këtyre koncesioneve, por ka thënë vetëm: “Kjo është diçka që s’bëhet. Jam absolutisht i prerë në këtë vendim”. Marrë nga Balkan web.

By I ZH

Leave a Reply