Kryetari i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka qenë i ftuari i radhës në emisionin, “ Jeta në Komunë” përballë Jeta Xharrës.

Tahiri krahas temave dhe çështjeve lokale ka komentuar edhe zhvillimet e fundit në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

I pari i Vushtrrisë ka thënë se ka qenë dhe vazhdon të jetë kundër përjashtimit të Vjosa Osmanit nga posti i nënkryetares së partisë, vendim i cili u mor nga një votim në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së në qershor të këtij viti.

Tutje, Tahiri ka shtuar se ka diskutuar për mendimin e tij ndryshe dhe se vazhdon të ketë mbështetje nga qendra e LDK-së.

“E kam thënë publikisht dhe vazhdoj të them që jam kundër mënyrës së përjashtimit të Vjosës nga LDK-ja. E kam diskutuar edhe brenda partisë për mendimin kundër, me kohë do të bëhen publike edhe emrat më të cilët kam diskutuar. Askush nuk mund të më mbajë larg qytetarëve, nuk kam pasur tërheqje të vërejtjes. Strukturat në Vushtrri më kanë mbështetur dhe vazhdojnë të më mbështesin pa asnjë dyshim të vetëm”, tha Xhafer Tahiri.