Qytetarët e Orikumit, nisur nga ngjarja e Fierit, tregojnë se në qytet janë dy persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Sipas qytetarëve, këta shtetas përdorin lëndë narkotike, ndërsa shpesh futen nëpër biznese dhe kërcënojnë qytetarët. Këta të fundit kërkojnë nga strukturat ligjzbatuese marrjen e masave për të shmangur ngjarje tragjike si ajo e Fierit.

Vrasja makabre e 8-vjeçarit Mateo Vasiu nga Klodian Çalamani, person me precedent penal në fushën e rrëmbimit të personit, ka nxitur qytetarët të denocojnë raste të ngjashme të personave problematikë. Banorë të Orikumit në Vlorë, denoncuan në Syri Televizion, rastin e dy banorëve në këtë qytet, të cilët janë persona me rrezikshmëri të lartë për qytetarët. Një e moshuar pronare e një minimarketi, tregon historinë personale të saj të përballjes me këta shtetas, të cilët dyshohe se janë përdorues droge.

Ndërsa ky i ri, pronar i një biznesi bar kafe në Orikum, tregon se dy personat problematikë në këtë qytezë shkojnë shpesh nëpër biznese dhe ushtrojnë terror ndaj qytetarëve apo pronarëve.

Qytetarët e Orikumit tregojnë se janë të frikësuar nga sjellja e këtyre personave, ndaj apelojnë që organet shtetërore të marrin masa.

Ndërkohë, pak ditë më parë, qytetarët e Lezhës denoncuan rastin e një vajze të re, e cila ishte kapur nga kamerat e sigurisë në qytet duke ecur në rrugë, ndërsa mbante armë të ftohta.

Dyshohet se vajza është me probleme mendore, ndërkohë që ende nuk dihet nëse janë marrë masa nga organet përkatëse për të parandaluar ngjarje si ajo e Fierit.

By I ZH