Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Greqi në datën 15 e 16 shtator dhe do të takohet me homologun e tij, Kyriakos Mitsotakis. Rama do të shkojë në takimin në Athinë, në cilësinë e kreut të OSBE-së. Në takim veç kryeministrit Ramës e Mitsotakis do të jenë dhe aktorë të tjerë të rëndësishëm të politikës greke, mes tyre dhe ministri i jashtëm Nikos Dendias.

Siç raportohet në mediat greke, kryeministi shqiptar do të marrë pjesë në një konferencë me temë “Europa: Përforcimi i kohezionit në kohë të trazuara” me në fokus të diskutimit, menaxhimin e krizës së koronavirusit.

Në këtë tryezë do të diskutohet edhe për krizën në Mesdheun lindor, emigracionin, politikën e jashtme dhe sfidat e mbrojtjes, investimet dhe tregun e energjisë.

Nuk dihet ende nëse çështja e detit dhe plani i zgjerimit të zonave ekonomike nga Greqia do të diskutohet. Rama ka mohuar vazhdimisht zërat se mes Shqipërisë dhe Greqisë ekziston një marrëveshje që lejon zgjerimin e shtetit fqinj me 12 milje në detin Jon.