Një i moshuar i sëmurë me Covid-19 tentoi sot të merrte jetën e tij duke u hedhur nga kati i tretë i spitalit Covid 1 tek QSUT. Fatmirësisht 69-vjeçari R.B. i shpëtoi vdekjes dhe momentalisht ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Por ky nuk ishte i pari rast kur një i sëmurë me koronavirusin e ri tenton ti japë fund jetës. Kanë qenë edhe tre raste të tjera, por që nuk patën fatin e 69-vjeçarit. Ato kanë dy të përbashkëta, humbjet e jetës dhe spitalin ‘Shefqet Ndroqi”.

Tentativat e vetëvrasjes nga të sëmurët me Covid-19 

Rasti i pari ndodhi më 13 gusht, kur pacienti Xhino Koca u hodh nga kati i tretë në gjendje të rënduar psikologjike. Më pas u publikua edhe mesazhi i fundit i Kocës, i cili në gjendje të dëshpëruar i kërkonte falje familjarëve të tij për veprimin e rëndë që po kryente, për shkak se nuk mundte dot të përballonte sëmundjen.

Pacienti i dytë i vetëvrarë në spitalin “Shfqet Ndroqi” ishte 65-vjeçari Hasan Mira nga Fullqeti i Klosit, i cili u hodh nga kati i katërt.

I treti ishte 52-vjeçari nga Tropoja, Preng Gjonaj, i cili u hodh nga kati i katërt i spitalit “Shefqet Ndroqi” më 1 nëntor. Për të u tha se gjatë ditëve të fundit kishte shfaqur edhe probleme me shëndetin mendor.

Ndërsa rastet e atyre që po vetëvriten në spitalet COVID shtohen, ende nuk ka një përgjigjje apo reagim zyrtar rreth shkakut të këtij fenomeni që po kthehet në një shqetësim, si dhe nuk jepen detaje për kushtet e sigurisë të pacientëve të shtruar.

Studimet për efektet e Covid-19 në trupin e njeriut prekin të gjitha pjesët e trupit, përfshi edhe trurin.

Çfarë thonë psikiatërit për ndikimin e Covid-it ne trurin e njeriut 

Nature.com ka bërë një shkrim të thelluar ku flet për dëmet që Covid-19 i shkakton trurit.

“Disa njerëz të shtruar në spital me COVID-19 po përjetonin delir: ishin të hutuar, të çorientuar dhe të trazuar. Në prill, në Japoni u publikua raporti i parë i dikujt me COVID-19 i cili kishte ënjtje dhe inflamacion në indet e trurit. Një raport tjetër përshkroi një pacient me përkeqësim të mielinës, një shtresë yndyrore që mbron neuronet dhe dëmtohet në mënyrë të pakthyeshme në sëmundjet neurodegjenerative të tilla si skleroza e shumëfishtë.

‘Simptomat neurologjike po bëhen gjithnjë e më të frikshme’, thotë Alysson Muotri, një neuroshkencëtar në Universitetin e Kalifornisë, San Diego, në La Jolla. Lista tani përfshin goditjet në tru, hemorragji të trurit dhe humbje të kujtesës. Nuk është e padëgjuar që sëmundjet serioze të shkaktojnë dëme të tilla, por shkalla e pandemisë COVID-19 do të thotë që mijëra apo edhe dhjetëra mijëra njerëz tashmë mund të kenë këto simptoma, dhe disa mund të përballen me probleme gjatë gjithë jetës si rezultat i virusit.

Megjithatë, studiuesit po përpiqen të përgjigjen në pyetjet kryesore – përfshirë ato themelore, të tilla si sa njerëz kanë këto kushte dhe kush është në rrezik. Më e rëndësishmja, ata duan të dinë pse shfaqen këto simptoma të veçanta.” – shkruhet në artikullin e Nature, ku shpjegohen edhe problemet më të shpeshta që Covid-19 shkakton në tru.

“Në qershor u analizuan detajet klinike për 125 persona në Mbretërinë e Bashkuar me COVID-19 të cilët kishin efekte neurologjike ose psikiatrike. Nga këto, 62% kishin përjetuar dëmtime në furnizimin me gjak të trurit, të tilla si goditje në tru dhe hemorragji, dhe 31% kishin ndryshuar gjendje mendore, të tilla si konfuzion ose pa ndjenja të zgjatur – ndonjëherë shoqëruar me encefalit, ënjtje të indeve të trurit. Dhjetë njerëz që kishin ndryshuar gjendje mendore zhvilluan psikozë.” – thuhet në artikull. Psikiatërit kërkojnë të krijojnë një patern.

“Një studim i ngjashëm i botuar në korrik përpiloi raporte të hollësishme të rasteve të 43 personave me komplikime neurologjike nga COVID-19. Disa modele po bëhen të qarta, thotë Michael Zandi, një neurolog në University College London dhe një autor kryesor në studim. Efektet më të zakonshme neurologjike janë goditja në tru dhe encefaliti. Kjo e fundit mund të përshkallëzohet në një formë të rëndë të quajtur encefalomielit akut i përhapur, në të cilin të dy trurin dhe palcën kurrizore bëhen të përflakur dhe neuronet humbin veshjet e mielinës – duke çuar në simptoma të ngjashme me ato të sklerozës së shumëfishtë. Disa nga pacientët më të prekur kishin vetëm simptoma të lehta të frymëmarrjes. ‘Këtu ishte truri që goditej si sëmundja e tyre kryesore’, thotë Zandi.

Komplikimet më pak të zakonshme përfshijnë dëmtimin e nervit periferik, tipik të sindromës Guillain – Barré dhe ato që Zandi përshkruan si ankthi dhe çrregullimi i stresit post-traumatik. Simptoma të ngjashme janë parë në shpërthimet e sindromës së rëndë të frymëmarrjes akute (SARS) dhe sindromës respiratore të Lindjes së Mesme (MERS), të shkaktuara gjithashtu nga koronaviruset. Por më pak njerëz ishin infektuar në ato shpërthime, kështu që më pak të dhëna janë në dispozicion.” – thuhet në shkrim, që drejt mbylljes shkon me pyetjen se pse preket truri?

“Pyetja më e ngutshme për shumë neuroshkencëtare është se pse truri preket. Megjithëse modeli i çrregullimeve është mjaft i qëndrueshëm, mekanizmat themelorë nuk janë ende të qartë, thotë De Felice. Të kuptuarit gabim të këtij fenomeni do të ishte e rrezikshme.

‘Është e pakuptimtë t’i japësh dikujt antiviralë nëse virusi është zhdukur dhe është e rrezikshme t’i japësh anti-inflamatorë dikujt që ka një virus në trurin e tij’, thotë Michael. Ka prova të qarta se SARS-CoV-2 mund të infektojë neuronet”. 

Sipas nature.com, që citon mjekët e mësipërm, është e rrallë të merret infeksion viral në sistemin nervor qëndror. Kjo do të thotë që shumë nga problemet që të sëmurët po shohin janë ndoshta një rezultat i sistemit imunitar të trupit që lufton virusin. ©LAPSI.AL 

By B I