Një grua 24 vjeçare e infektuar me COVID-19 ka ndërruar jetë në Mjekësinë Sportive derisa ishte nën kujdesin intensiv pasi lindi fëmijën.

Pasi ka kryer lindjen në Klinikën Gjinekologjike më 29 mars ajo ishte transferuar në Mjekësinë Sportive për t’u trajtuar meqë gjendja e saj me frymëmarrje ishte rënduar, njofton Klan Kosova.

Drejtori i Gjinekologjisë, Jakup Ismaili, ka thënë për Klankosova.tv se pacientja është transferuar nga kjo klinikë menjëherë pas përkeqësimit të gjendjes së pacientes.

Lajmin e ka konfirmuar edhe Zyra për Media e SHSKUK-së që tha se përkundër përpjekjeve maksimale të stafit shëndetësor, 24 vjeçarja nga Ferizaj nuk ka arritur të mbijetonte

“Ju konfirmojmë se ditën e djeshme në Mjekimin Intensiv COVID në QKUK, përkundër përpjekjeve maksimale të stafit shëndetësor, nuk ka arritur të mbijetonte një nënë e lindur më 1997, nga komuna e Ferizajt, e cila ishte e konfirmuar me COVID, e njëjta kishte lindur me operacion në Klinikën  e Gjinekologjisë, në javën e 34-të, të shtatzënisë”.

“Pas lindjes i ishte keqësuar gjendja dhe ishte transferuar fillimisht në Klinikën Infektive2 ( Sportive), e më pas me datë 4 prill në Mjekimin Intensiv-COVID. Në ritestim të datës 6 prill, e njëjta ishte negativizuar në testin për COVID, por përkundër kujdesit maksimal, e njëjta nuk arriti të mbijetonte meqë kishte gjendje të rënduar shëndetësore”.