Pas dy përpjekjeve të dështuara për të siguruar fletvotimet e domosdoshme në kutinë e votimit për zgjedhjen e presidentit, Kuvendi i Kosovës do të vazhdojë sot seancën e jashtëzakonshme, të nisur dje, për zgjedhjen e presidentit të vendit.
Të shtunën, Kuvendi i Kosovës u mblodh për ta zgjedhur të parin e shtetit, por nuk arriti pasi mungonin 80 votat e nevojshme në kuti, ndonëse në sallë kishte kuorum prej 82 deputetësh.
Në dy votimet e raundit të parë votuan 78, respektivisht 79 deputetë, përfshirë këtu edhe Albena Reshitajn e AAK-së, e vetmja depuetet e kësaj partie që mori pjesë në seancë.
Prandaj sot në orën 17:00 pritet të vazhdojë seanca, pas dy tentimeve të dështuara gjatë së shtunës.
Vjosa Osmani dhe Nasuf Bejta janë dy kandidatët e propozuar për president nga Lista “Guxo”.
Ani pse Lidhja Demokratike e Kosovës ia kishte premtuar Osmanit bërjen e kuorumit, deputetët Avdullah Hoti, Agim Veliu dhe Driton Selmanaj, nuk morën pjesë në votim, shkruan Telegrafi.
Por, jo vetëm tre deputetët e LDK-së ishin “fajtorë” për dështimin e zgjedhjes së presidentit.
Ishte menduar se 81 vota ishin të sigurta për zgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente.
Konsiderohej se me 12 nga 15 votat e LDK-së dhe 69 votat e LVV-së me partnerët e koalicionit nga minoritetet (pa Listën Serbe) do të bëheshin 81 votat e mjaftueshme për kuorum dhe zgjedhjen e presidentes.
Ishin dy deputetët nga komunitetet pakicë, Adem Hoxha, i Partisë së Goranëve të Kosovës dhe deputeti tjetër nga Iniciativa Rome, Fadil Gashi që kanë dështuar në momentin e fundit, duke mos marrë pjesë më seancë.
Kryetari i Partisë së Goranëve të Kosovës, Adem Hoxha ditë më parë pas takimit me ushtruesen e detyrës së presidentes Vjosa Osmani dhe me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti kishte thënë se bllokadën e institucioneve nuk e shohin si metodë për zgjidhjen e problemeve.
Në seancë ka munguar edhe deputeti nga Iniciativa Rome, Fadil Gashi, i cili dy javë më parë pas takimit me Kurtin e Osmanin, nuk kishte treguar nëse do ta votojë as Qeverinë Kurti.