Një vaksinë që është përdorur për të parandaluar tuberkulozin u është dhënë punonjësve shëndetësorë në Melburn të Australisë për të parë nëse do t’i mbrojë ata nga koronavirusi, përcjell Alsat.

Bacillus Calmette-Guerin, ose BCG, është përdorur për rreth 100 vjet, ndërsa kohëve të fundit vlerësohet se gjithashtu ndikon edhe në përmirësimin gjeneral të sistemit imunitar në luftë kundër infeksioneve.

Organizata Botërore e Shëndetit thotë se është e rëndësishme të vërtetohet nëse vaksina BCG mund të zvogëlojë sëmundjen tek të infektuar me koronavirus ndërsa inkurajon grupet ndërkombëtare për bashkëpunim në studimin e udhëhequr nga Nigel Curtis, drejtues i institutit hulumtues të sëmundjeve infektive, në Institutin e Kërkimeve për Fëmijë Murdoch në Melburn.

“Mund të forcojë sistemin imunitar duke na mbrojtur nga një gamë e gjerë infeksionesh, një gamë të përbërë prej shumë viruseve dhe baktereve në përgjithësi”, tha Curtis, i cili është gjithashtu profesor i sëmundjeve infektive pediatrike në Universitetin e Melburn-it.

4.000 punonjës shëndetësorë, të cilët janë paraqitur si vullnetarë do të marrin pjesë në studimin gjashtë mujorë ku do të injektohen me vaksina kundër gripit dhe me vaksina BCG.

BCG, vaksinë e lirë, e cila përdoret për imunizimin e rreth 130 milion të porsalindurve në të gjithë botën, potencialisht mund të ofrojë mbrojtje për një grup më të gjerë njerëzish, përfshi këtu punonjësit shëndetësorë  të cilët kanë rrezik më të lartë për  infektim me koronavirus dhe  marrë parasysh se ata kujdesen për të sëmurët. Studime të ngjashme mbi efektin e BCG vaksinës në Covid-19 po zhvillohen edhe në Boston të SHBA-së dhe në Holandë./Alsat

By I ZH

Leave a Reply