Sot ka mbërritur në Prishtinë dërgesa e dytë me furnizime nga Fondi i Emergjencës i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF), përfshirë 1.5 ton pajisje profesionale mbrojtëse (8.900 mantele kirurgjike) për ta mbështetur reagimin e sistemeve shëndetësore ndaj pandemisë së koronavirusit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njofton komunikata e UNICEF-it, Zyra në Prishtinë, që nga fillimi i përhapjes së koronavirusit, UNICEF-i ka ofruar 36.200 dorëza, 33.600 maska kirurgjike, 2,700 maska me mbushje të dendur, 1.000 kominoshe për mbrojtje, 17.860 mantele, 2.800 përparëse mbrojtëse si dhe 81 termometër infra red klinik si mbështetje për reagimin e Kosovës ndaj pandemisë.

Dhjetë për qind e këtyre furnizimeve janë dorëzuar në Spitalin në Mitrovicën e Veriut dhe në atë në Graçanicë.

“Mbështetja e sotme është mundësuar si pjesë e programit të UNICEF-it për vizitat në shtëpi që financohet nga Qeveria e Luksemburgut. Gjatë katër viteve të kaluara, ky program e ka mbështetur shtrirjen e sistemeve shëndetësore tek më shumë se 35.000 fëmijë dhe 15.000 gra shtatzëna”, thuhet në komunikatë.

Shefi i Zyrës së UNICEF-it, Murat Sahin tha se Zyra e UNICEF-it në Kosovë do të vazhdojë t’i mbështesë institucionet dhe komunitetet në tërë Kosovën për t’i kapërcyer sfidat që janë paraqitur si pasojë e COVID-19.

“Ne e dimë se fëmijët dhe të rinjtë vuajnë në mënyrë disproporcionale nga COVID-19. Gjersa vazhdojmë të ofrojmë furnizime që shpëtojnë jetë përmes mbështetjes bujare të donatorëve tanë përfshirë këtu Qeverinë e Luksemburgut, ne do t’i përmirësojmë programet në mënyrë që çdo fëmijë dhe i ri të ndihmohet me planet e reagimit dhe rikuperimit ndaj COVID-19”, tha Sahin.

Më 3 prill, në kuadër të ndihmave për përballimin e menaxhimit të koronavirusit, UNICEF ka dërguar në Kosovë 3.6 ton furnizime në Ministrinë e Shëndetësisë për të mbështetur punonjësit shëndetësorë, përfshirë doreza, maska kirurgjikale, mantele, përparëse mbrojtëse, termometra infra-red klinik, e të tjera.

Gjithashtu po në këtë ditë Zyra e UNICEF-it në Prishtinë ka lidhur partneritet me Kryqin e Kuq të Kosovës dhe autoritetet komunale për shpërndarjen e 12.000 pakove të higjienës familjare për familjet më në nevojë.

By B I

Leave a Reply