Zyra e UNICEF-it në Kosovë, në partneritet me USAID, sot ka pranuar dërgesën e radhës me pako me mjete higjienike për familjet në nevojë dhe institucionet shëndetësore.

5950 pako familjare higjienike, 240 pako higjienike të qendrës së mjekësisë familjare dhe 1200 pako higjienike për fëmijë janë përgatitur për shpërndarje në tërë Kosovën.

“Që nga shpërthimi i pandemisë COVID-19, UNICEF-i ka bërë shpërndarjen e 12,000 pakove higjienike familjare për rreth 72,000 njerëz në 30 komuna. UNICEF-i ka bërë një vlerësim të shpejtë të përfituesve përmes intervistave telefonike me 204 familje përfituese të përzgjedhura në mënyrë rastësore. 97 përqind e familjeve e kanë vlerësuar ndihmën e marrë dhe kanë kërkuar vazhdimin e mbështetjes”, thuhet në njoftimin për media.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip S. Kosnett, tha se “Lufta kundër COVID 19 kërkon partneritet”.

“Unë jam i impresionuar me punën e institucioneve shëndetësore, OJQ-ve dhe agjencive të tjera. Me shpërndarjen e këtyre mjeteve higjienike për familjet dhe fëmijët ne do të mbrojmë nga virusi familjet më në nevojë ”, tha Kosnett.

Shefi i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Murat Sahin, deklaroi se “UNICEF-i është shumë i kënaqur që po bashkëpunon me USAID-in, një partner global kaq të fortë dhe të përkushtuar, veçanërisht gjatë kësaj periudhe të jashtëzakonshme kur pandemia COVID-19 ka ndikuar shumë në jetën e fëmijëve dhe të rinjve. Duke filluar me ofrimin e furnizimeve shëndetësore vitale, përfshirë pajisjet mbrojtëse të stafit, pakot higjienike e deri te zgjidhjet inovative për mësim, UNICEF-i po punon për ta ngadalësuar përhapjen e COVID-19 dhe për të minimizuar ndikimin e tij tek fëmijët dhe të rinjtë”.

UNICEF-i vlerëson mbështetjen e madhe nga USAID-i dhe mbetet i përkushtuar që të punojë me institucionet dhe partnerët për ta ndalur përhapjen e virusit dhe për t’i mbajtur të sigurt fëmijët dhe familjet e tyre. /Telegrafi/

By I ZH

Leave a Reply