Vendi regjistron më shumë të shëruar se të infektuar. 123 persona e kanë fituar betejën me virusin korona, ndërsa 88 kanë rezultuar pozitiv nga 973 teste të kryera. Prej tyre, 30 janë në Shkup, 13 në Shtip dhe 11 në Strugë. Numri i përgjithshëm i të infektuarve është 8197, ndërsa aktive janë 3486 raste. Numër më të lartë të të shëruarve ka regjistruar Shkupi, përkatësisht 70. Më raportin e fundit, numri i përgjithshëm i të shëruarve arriti në 4326. Ministri Filipçe nga Sveti Nikolla tha se ka një rritje të rasteve të reja gjatë ditëve të fundit në këtë komunë dhe kjo sipas tij lidhet me të infektuarit në Shtip.

“Burimi i kësaj vale lidhet me vatrën në Shtip, numri më i lartë i të infektuarve janë të punësuar në fabrikë, këtu në qytet. Kjo situatë po menaxhohet mirë nga vetëqeverisja lokale, dhe gjatë javës së kaluar është marrë vendim që fabrika të mbyllet. Një pjesë e të diagnostikuarve janë në mjekim shtëpiak, ndërsa pjesa tjetër kurohen në spitalin e Shtipit. Personave të tjerë u bëhen anketa epidemiologjike të vazhdueshme dhe sipas indikacioneve do të bëhen edhe testime dhe në bazë të rezultateve do të merret vendim se si do të vazhdohet të punohet – deklaroi Venko Filipçe- ministër i Shëndetësisë.

Gjatë 24 orëve të fundit 3 persona kanë ndërruar jetë, duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave nga COVID-19 në 385. Dy nga Shkupi dhe një nga Shtipi. Deri tani në vendin tonë janë realizuar 78.133 testime.

By I ZH