Pak orë pasi kishte sugjeruar shtyrjen e mundshme të zgjedjeve të 2020, Presidenti Donald Trump tha se nuk donte shtyrjen e votimeve, por kishte shqetësime se mund të lindnin probleme nga miliona fletëvotime të dërguara me postë.

“Dua zhvillimin e zgjedhjeve dhe daljen e rezultatit, i dua shumë, shumë më tepër se ju,” tha presidenti në konferencën për shtyp në Shtëpinë e Bardhë të enjten. “Nuk dua vonesa. Dua të zhvillohen votimet. Por gjithashtu, nuk dua të pres për tre muaj dhe të mësoj më pas se mungojnë fletëvotime dhe se zgjedhjet nuk kanë vlerë“.

Presidenti citoi njoftime të medias për probleme me votimet me postë, pasi fletëvotimet kanë mbërritur vonë. Presidenti tha se mund të duhen javë, muaj, ndoshta edhe vite për të sqaruar çdo gjë. “A dua ndryshimin e datës (se votimeve)? Jo, por nuk dua as zgjedhje të parregullta,” tha presidenti.

Presidenti Donald Trump hodhi për herë të parë të enjten idenë për t’i shtyrë zgjedhjet presidenciale të nëntorit, pas aludimeve të tij se votimi me postë do të rezultojë në manipulime, aludime që nuk duket të kenë ndonjë bazë.

Presidenti Trump shkruante të enjten në Twitter se “Me votimin e përgjithshëm me postë zgjedhjet e 2020s do të jenë zgjedhjet më të pasakta dhe më të manipuluara në histori. Do të jetë një turp i madh për SHBA. A duhen shtyrë zgjedhjet në mënyrë që njerëzit të mund të votojnë siç duhet???,” shkruante presidenti në Twitter.

Datat e zgjedhjeve federale përcaktohen nga Kongresi dhe Kushtetuta nuk parashikon asnjë dispozitë për shtyrje të ceremonisë së inagurimit të Presidentit më 20 janar 2021.

Presidenti Trump edhe më parë ka lënë të kuptohet se nuk do t’u besonte rezultateve të zgjedhjeve, e ngjashme kjo me ankesat e ngritura prej tij në prag të zgjedhjeve të vitit 2016. Megjithatë, asnjëherë më parë ai nuk kishte hedhur aq drejtpërdrejt idenë për ndryshimin e datës 3 nëntor.

By B I