Moti i keq që ka goditur vendin gjatë 24 orëve të fundit ka shkaktuar mjaft probleme me lëvizjen, furnizimin me energji elektrike si edhe ka detyruar KESH-in të rrisë shkarkimet nga kaskada e Drinit, ndërkohë që janë shënuar edhe dy jetë të humbura.

Siç raportoi më herët abcnews.al, babë e bir humbën jetën gjatë mesditës së sotme në Shkrel të Malësisë së Madhe teksa uji i rrëmbyeshëm mori para makinën e tyre duke mos u dhënë asnjë shans shpëtimi.

Në makinë ndodhej edhe vajza e familjes, por policia bën me dije se ajo ka mundur të dalë prej mjetit për shkak edhe të ndihmës së dhënë nga banorët e zonës.