Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi ka theksuar se PDSH do ta rikthejë Tetovën si bastion të saj dhe se sipas sondazheve të besueshme kjo parti do të arrijë numër të konsiderueshëm të deputetëve, duke qenë një faktor i rëndësishëm politik.

Ai këtë e theksoi gjatë aktiviteteve në Tetovë dhe fshatrat e Gostivarit i shoqëruar nga kandidatët për deputetë Frymzin Dauti dhe Dr. Arben Demiri.

“BDI duhet të kalojë në opozitë por kjo, nuk është fitore e vërtetë nëse nuk fiton PDSH-ja. Duhet t’ju themi njerëzve se ky është një moment ku duhet të përkrahet PDSH-ja. Sa më shumë mbështetje për PDSH-në aq më lehtë do ta kemi t’i realizojmë qëllimet e përbashkëta”, theksoi Thaçi.

Ai u ndal në situatën aktuale, duke thënë se pandemia e ka shkatërruar ekonominë e vendit, andaj siç shtoi ai PDSH ka planin konkret dhe të afatizuar për ta rimëkëmbur.

“Familjet që s’kanë asnjë të punësuar apo kurrëfarë të ardhurash, me ardhjen e PDSH-së në qeverisje do t’ju sigurohet ndihmë financiare. Jemi munduar që platformën tonë ta bëjmë sa më të thjeshtë që të jetë sa më e qartë për njerëzit. Duhet definitivisht që RMV ta procesojë demokracinë konsensuale”, tha Thaçi.

Sipas tij, shqiptarët kanë nevojë për një lider i cili merr pozitë në qeveri. “Duhet me shpejtësi të kanalizohen mjetet buxhetore në zhvillimin e infrastrukturës, ndërtimin e shkollave e kështu me radhë.”, nënvizoi kreu i PDSH-së. (INA)

By I ZH