Rajoni

Skocezi që pretendon se u burgos gabimisht për abuzim me fëmijët shqiptarë, lirohet këtë javë

Një punonjës skocez në organizatat bamirëse i cili pretendon se u burgos gabimisht për abuzim të dy fëmijëve në Shqipëri, do të lirohet këtë javë pas 13 vjetësh.

Viktimat e të dyshuarit David Brown, pranuan se katër vjet më parë  ishin detyruar të trillonin prova kundër tij, transmeton Klan Kosova.

Por një gjykatës e refuzoi aplikimin e tij për lirim me kusht në 2019 dhe avokatja e Brown, Gjystina Golloshi thotë se ai më në fund do të lirohet të premten.

Brown u dënua në vitin 2008 me 20 vjet për abuzimin e djemve në jetimoren e fëmijëve në Tiranë. Ai e vuan dënimin në burgun 302 në Tiranë.

Dy nga akuzuesit e tij më vonë pretenduan se policia dhe një psikolog i bëri presion për të bërë deklarata të rreme. Sunday Mail raportoi në vitin 2017 se ata ishin të gatshëm që t’i pranonin gënjeshtrat e tyre origjinale para gjykatës.

Ai pritej të lirohej në vitin 2019 kur kërkesa e tij për liri u mbështet nga zyrtarët e burgut. Por, shpresat e tij u shuan kur një gjykatës në Tiranë refuzoi lutjen e tij për lirim me kusht me arsyetimin se “nuk pranon krimin për të cilin është dënuar dhe, për atë arsye ai nuk ka treguar pendim”.

Avokatja Golloshi thotë se pasi të lirohet, Brown do të konsiderohet se e ka vuajtur dënimin e tij, me apelin referuar gjykatës më të lartë të Shqipërisë.

Apeli përqendrohet në deklaratat e dy djemve që thanë se Brown nuk i abuzoi ata.