Një ndër vendet më të prekura të virusit Covid 19, është Italia e cila e përjetoi tragjikisht pandeminë, ku numri i të infektuarve dhe viktimave është shumë i madh. Pothuajse të gjithë ne, kemi familjarë apo shoqëri të cilët jetojnë atje dhe jemi të shqetësuar çdo ditë për ta. BiMedia ka intervistuar një shtetase të Maqedonisë së Veriut, e cila është rritur dhe jeton në Itali. Ajo na tregon pak për situatën si është atje, meqënse jeton në një zonë ku numri i të prekurve me virus është shumë i lartë. Ajo gjithashtu tregon si e ka përjetuar këtë situatë. /BiMedia/
Semie Jusufi – e punësuar në sektorin e turizmit në Itali
BiMedia: A mund të na tregoni pak për situatën me Covid 19 atje?
Semie Jusufi: Aktualisht në Itali ne po ndjekim të gjitha udhëzimet e dhëna nga qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë, duke respektuar kështu karantinimin, i cili para disa ditëve u zgjat edhe për disa ditë më tepër, deri më 13 prill. Na lejohet të dalim vetëm për ushqime ose për në farmaci dhe për të dalë duhet të bëjmë kërkesë për leje, e cila bëhet në internet ose i jep policia. Policë në rrugë ka gjatë gjithë kohës dhe jemi në kontroll 24 orë. Siç edhe e dini, një pjesë e madhe e zonave të Italisë është e prekur nga virusi. Edhe zona ku ne jetojmë (zona e Padovës), ka të infektuar dhe numri është i lartë. Por është diçka pozitive dhe e rëndësishme që të gjithë vazhdojnë tu përmbahen rregullave me qëllim që të parandalohet zgjatja e situatës.
BiMedia: Si ka ndikuar kjo situatë në jetën tënde (rutina ditore, puna)
Semie Jusufi: Kjo emergjencë apo pandemi na mori në befasi dhe ndryshoi në mënyrë drastike shumë aspekte të rutinës sime të përditshme. Në veçanti, ajo që ka pësuar më shumë është puna, unë jam e punësuar në sektorin e turizmit i cili fatkeqësisht është prekur shumë nga kjo situatë. Nga njëra anë ndalesa e detyruar e punës më lejon që të qëndroj në shtëpi dhe të respektoj karantinimin, mirëpo nga ana tjetra kjo më ka ndikuar edhe në pjesën ekonomike që krijon edhe shqetësim. Pjesa tjetër që na shqetëson është se ne kemi edhe familjarë, disa prej tyre janë afër nesh, po edhe pse janë afër nuk mund ti vizitojmë dhe duke qenë se situata është e njëjtë gjithandej, shqetësohemi shumë për njëri tjetrin. Por është mirë që jetojmë në kohë me teknologji të avancuar dhe është shumë më lehtë të dijmë se çka ndodh me njerëzit tonë të afërt.
BiMedia: Si e kalon kohën në karantinë?
Semie Jusufi: Sa për ditët e mia, siç jemi të detyruar, i kaloj në shtëpi me familjen time duke u përpjekur të organizoj kohën në mënyrë aktive dhe pozitive. I përkushtohem aktivitetit fizik, pastrimit dhe punëve të shtëpisë dhe i lejoj vetes disa filma që kam dashur ti shoh me kohë. Kemi famljarë dhe miq edhe në Maqedoninë e Veriut, dhe një pjesë të kohës e kaloj kohën duke i kontaktuar ato, për tju siguruar që jemi dhe janë mirë. Gjitashtu jam me fat që kam një hapësirë të gjelbërt ku e kaloj kohën dhe shijoj disa ditë me diell.
BiMedia: Një mesazh për të gjithë lexuesit?
Semie Jusufi: Mesazhi që un do doja të jepja është që ta mbajmë dhe ta përballojmë këtë periudhë me durim dhe besim. Është e rëndësishme që kur të përfundoj kjo situatë ne ta vlersojmë atë që ndodhi dhe të mësojmë të jetojmë jetën tonë me më shumë përgjegjësi dhe respekt.
BiMedia