Për ta vendosur në perspektivë pandeminë e koronavirusit, mendoni se çfarë ndodhi kur murtaja bubonike goditën Londrën në vitin 1665.

Fillimi i sëmundjes mund të ishte i papritur, thotë historiani i Yale Frank Snowden: “Kishte njerëz të prekur dhe në agoni në hapësirat publike”, përcjellë Klan Kosova.

Tregtia u mbyll shpejt, dhe “çdo aktivitet ekonomik u zhduk”. Qyteti ngriti spitale për të izoluar të sëmurët. “Në rrugë digjej squfur, dhe zjarre të mëdha për të pastruar ajrin”.

Rreth 100,000 londinezë – afro një e katërta e popullsisë, e barabartë me dy milion sot – vdiqën. Disa prej atyre që vuanin kryen vetëvrasje duke “u hedhur në Tamiz”, thotë Snowden. “I tillë ishte tmerri i tyre për atë që po ndodhte me trupin e tyre dhe dhimbja që ndjenin” – nyjet limfatike të inflamuara – që janë simptomat klasike e murtajës bubonike. Rendi shoqëror u shemb, ndërsa autoritetet ia mbathën. Ata që ngisnin “karrocat e vdekjes” shkonin derë më derë, duke mbledhur kufoma kundrejt një tarife, dhe shpesh herë duke plaçkitur pasuritë e të mbijetuarve.

Sulmet e dhunshme të murtajës ndaj qyteteve evropiane në Mesjetë dhe periudhën e Rilindjes krijuan “zhvendosje sociale në një mënyrë që ne as nuk mund ta imagjinojmë”, thotë Snowden, libri i të cilit i Tetorit 2019, “Epidemitë në shoqëri: Nga Vdekja e Zezë, deri sot” – një studim i sëmundjeve infektive dhe ndikimit të tyre social – është papritmas në modë.

Unë e intervistova Z. Snowden, 73 vjeç, me Skype. Ne të dy jemi të izoluar në shtëpi, unë në Kaliforni dhe ai në Romë, ku ka shkuar të bëjë kërkime në arkivat e Vatikanit. Në mesin e shekullit XIV, Italia ishte “vendi më i dërrmuar në Evropë nga Vdekja e Zezë”, vëren ai. Në shekullin XXI, është ndër vendet më të goditura nga Covid-19.

Shkenca e ka shtyrë atë murtajë, të shkaktuar nga bakteri i pleshtave dhe minjve, Yersinia pestis, në periferi të shqetësimeve të shëndetit publik (megjithëse mbetet e frikshme si armë biologjike e mundshme nëse përdoret me aerosolizim). Megjithatë, trashëgimia e saj ngre pyetje sfiduese se si koronaviusi mund të ndryshojë botën.

Pavarësisht të gjithë aftësisë bio-mjekësore të Perëndimit modern, disa prej mjeteve të tij kundër një sëmundjeje ende të pakuptuar janë të ngjashme me atë që u provua fillimisht në shekullin XIV. Merrni karantinën. Qindra miliona amerikanë dhe evropianë janë izoluar në shtëpitë e tyre, në përpjekje për të ngadalësuar përhapjen e koronavirusit.

Izolimi si mbrojtje kundër sëmundjeve infektive e ka origjinën në qytetet e Venedikut dhe Firences. Italia ishte qendra e tregtisë në Mesdhe, dhe murtaja mbërriti në 1347 me anije tregtare. Teoria mbizotëruese në atë kohë ishte “miasmatizmi” – atmosfera ishte helmuar – mbase nga veshjet e vizitorëve – dhe njerëzit sëmureshin “kur merrnin frymë, ose përthithnin përmes poreve të tyre”, thotë Z. Snowden. “Kjo do të thotë, që ka një emetim, dhe mund të mendohet se vjen nga toka, ose nga trupat e njerëzve të sëmurë”.

Pas ardhjes së murtajës, marina veneciane përfundimisht filloi të detyrojë marinarët që mbërrinin në port të shkonin në një ishull aty pranë, ku qëndronin për 40 ditë – kuaranta – një kohëzgjatje e zgjedhur për shkak të domethënies së saj biblike. Strategjia funksionoi kur u zbatua pasi pleshtat e bllokuar nga sëmundja ngordhnin, dhe i sëmuri vdiste ose shërohej. Z. Snowden vëren se amerikanët që po ktheheshin nga Ëuhani, Kinë, në fillim të shkurtit mbaheshin ” në baza ushtarake për një periudhë karantine” – 14 ditë dhe jo 40.

“Ne mund t’i shohim rrënjët e shumë aspekteve të shëndetit modern që në Rilindje,” shton ai. Një shembull tjetër është “kostumi i murtajës” prej dylli, i veshur nga mjekët. Ai u ngjante veshjeve mbrojtëse të mjekëve në kohët e sotme – “veshjet mbrojtëse që ju shihni në spital për njerëzit që përballen me Ebola, ose ky lloj kostumi hapësinor” – por me një sqep të gjatë që përmbante barishte. Mendohej se ato “pastronin ajrin që po thithje “. Veshja “në të vërtetë kishte një vlerë mbrojtëse”, thotë Snowden, sepse dylli sprapste pleshtat që mbartnin sëmundjen.

Përpjekjet kundër sëmundjes ndryshuan në mënyrë dramatike marrëdhëniet e Evropianëve me qeveritë. “Fjorentinët krijuan ato që quheshin magjistratë shëndetësorë, të cilët janë paraardhësit e atyre që ne sot i quajmë borde të shëndetit ose departamente të shëndetit,” shpjegon Snowden. “Të pajisur me fuqi të veçanta juridike”, ata koordinonin kundërmasat ndaj murtajës.

Murtaja ishte më traumatike sesa një sulm ushtarak, dhe përgjigjja ishte shpesh si luftarake në egërsinë e vet. Një përgjigje ishte një “kordon sanitar”, ose rrethimi i një qyteti-shtet me ushtarë, që nuk lejonte askënd të hynte apo të dilte. “Imagjinoni qytetin tuaj, dhe papritmas, në mëngjes, ai është i rrethuar nga Garda Kombëtare me bajoneta dhe helmeta të fiksuara dhe urdhër për të qëlluar nëse kalojmë,” thotë Z. Snowden. Kordonët u vendosën rregullisht në qytete evropiane në kohën e rrezikut të murtajës, duke shkaktuar terror dhe dhunë. Në shekullin e 18-të, ushtria austriake u vendos në terren “për të mos lejuar që murtaja bubonike të ngjitej nga Gadishulli Ballkanik dhe drejt Evropës Perëndimore”, duke ndaluar udhëtarët që mund ta bartnin atë.

Sociologu Charles Tilly (1929-2008) argumentonte se lufta e bën shtetin” – se kufijtë dhe burokracitë ishin të formësuara prej nevojave në konfliktin ushtarak. Murtaja pati efekte të ngjashme, duke kërkuar “angazhim ushtarak, administrim, financë dhe gjithçka tjetër “, thotë Z. Snowden. Përveç një marine për të zbatuar karantinën, ” duhej të kishe një forcë policore”, një monopol mbi forcën mbi një zonë të gjerë. Ndonjëherë “rojet vendoseshin jashtë shtëpive të njerëzve që kishin sëmundjen dhe askush nuk lejohej të hynte apo të dilte”.

Megjithatë, ndërsa murtaja pa që pushteti po zhvendosej nga fshatrat dhe shtet-shtetet, drejt kryeqyteteve kombëtare, koronavirusi është duke inkurajuar një shpërndarje të autoritetit nga njësitë mbikombëtare, tek shteti-komb. Kjo është më e dukshme në Bashkimin Evropian, ku vendet anëtare po organizojnë secili reagimin e vet. Kufijtë e hapur brenda BE-së janë mbyllur, dhe disa vende kanë kufizuar eksportin e furnizimeve mjekësore. Virusi ka rritur tensionet midis SHBA dhe Kinës, pasi Pekini përpiqet të mbrojë imazhin e vet dhe amerikanët merakosen për qasjen në zinxhirët e furnizimit mjekësor.

Koronavirusi po kërcënon “risitë ekonomike dhe politike të globalizmit, duke i bërë ato që edhe të zhbëhen në një masë të caktuar,” thotë Snowden. Ai vëren se “koronavirusi është një sëmundje e globalizmit”. Virusi po godet më së shumti shtetet që janë “me popullsi të dendura dhe të lidhura nga udhëtimi i shpejtë ajror, nga lëvizjet e turistëve, të refugjatëve, të gjitha llojet e biznesmenëve, të gjitha llojet e rrjeteve ndërlidhëse”.

Dinamika sociale e një pandemie përcaktohet pjesërisht nga kush preket më shumë. Kolera, për shembull, “shoqërohet me tensione shoqërore dhe klasore, si dhe trazira,” thotë Snowden. Një infeksion i ligë gastrointestinal, ai ishte më i përhapuri në banesat e mbipopulluara, me ushqime ose ujë të kontaminuar. “Ne mund të marrim Napolin, ose mund të zgjedhnim Nju Jorkun e shekullit të 19-të,” thotë ai. “Zyrtarët komunalë, autoritetet, mjekët, priftërinjtë, klasa e mesme, të pasurit, të cilët jetojnë në lagje të ndryshme, nuk po i nënshtrohen kësaj sëmundjeje”. Kjo gjë çoi në teori konspirative në lidhje me origjinën e saj, dhe në protesta të klasës punëtore.

Në mënyrë të ngjashme, murtaja bubonike goditi Indinë, atëherë një koloni britanike, në fund të shekullit të 19-të. Britanikët u përgjigjën duke prezantuar masa antimurtajë të epokës së Rilindjes – “ushtrime shumë drakoniane të pushtetit dhe autoritetit, por nga një qeveri koloniale, mbi popullsinë vendase,” thotë Z. Snowden. “Popullsia e Indisë e vlerësoi këtë gjë, si më të frikshme se vetë murtaja” dhe rezistoi. Britania, e shqetësuar se “ky do të ishte fillimi i nacionalizmit modern Indian”, i zhbëri masat, të cilat ishin gjithësesi joefektive.

Viruset respiratorë, thotë Snowden, priren të jenë jodiskriminues në kuptimin social. Nuk bëjnë dallim se kë infektojnë. Megjithatë, për shkak të origjinës së vet në vektorët e globalizmit, koronavirusi duket se ka prekur edhe një elitë të profilit të lartë. Nga Tom Hanks deri te Boris Johnson, njerëzit që udhëtojnë shpesh ose janë në kontakt me udhëtarë, kanë qenë ndër të parët që janë infektuar.

Kjo gjë ka formësuar përgjigjen politike në SHBA, pasi Partia Demokratike, me qendër në qytete të globalizuara, kërkon një përgjigje intensive. Profesionistët liberalë gjithashtu mund të kenë më shumë gjasa të punojnë ndërsa izolohen në shtëpi. Votuesit republikanë kanë më pak të ngjarë të jetojnë në zona të dendura me numër të lartë infeksionesh dhe deri më tani janë më pak pranues ndaj masave dramatike.

Sëmundjet infektive mund të ndryshojë vetë peizazhin fizik. Snowden vëren se kur Napoleoni III rindërtoi Parisin në mesin e shekullit të 19-të, një nga objektivat e tij ishte të mbrohej kundër kolerës: “Ishte kjo ide për të bërë bulevarde të gjera, ku dielli dhe drita mund të shpërndanin ajrin e infektuar”. Kolera gjithashtu nxiti zgjerime të kompetencave rregullatore mbi “ndërtimin e shtëpive, si duhej të ndërtoheshin ato, standardet e pastërtisë”. Nëse viruset respiratore bëhen një tipar i vazhdueshëm i jetës në Perëndim, mund të zbatohen gjithashtu ndryshime në transportin publik dhe zonimin, bazuar në të kuptuarit tonë të shkencës – që, ashtu si me Napoleonin, është e sigurt se do të përforcohet, ose shfuqizohet në vitet e mëvonshme.

Në letërsinë antike, nga “Iliada” e Homerit deri në Testamentin e Vjetër, murtajat shoqërohen me idenë se njeriu po ndëshkohet për mëkatet e tij, vëren Snowden. Kishat veneciane u ndërtuan për të demonstruar pendim. Snowden nënvizon gjithashtu kamzhikuesit e shekujve 14 dhe 15, të cilët fillonin “një procesion 40-ditor të pendimit, vetë-dënimit dhe lutjes”, duke goditur veten dhe të tjerët.

Për Evropianët që i mbijetuan murtajës, thotë Snowden, kjo nguliti idenë se “mund të goditesh në çdo moment, pa paralajmërim”, kështu që duhet të fokusohesh në shpirtin tënd të pavdekshëm.

Snowden thotë se pas Luftës së Dytë Botërore “kishte besim real se të gjitha sëmundjet infektive do t’i përkisnin të kaluarës”. Sëmundjet kronike dhe të trashëguara do të mbeteshin, por “infeksionet, pandemitë, nuk do të ekzistonin më për shkak të shkencës”. Që nga vitet 1990 – siç shkruan bota.al, veçanërisht që nga shpërthimi i gripit të shpendëve të vitit 1997 – ekspertët kanë kuptuar se “do të ketë shumë më tepër sëmundje epidemike”, veçanërisht infeksione të frymëmarrjes që kalojnë nga kafshët te njerëzit. Sidoqoftë, koronavirusi i ri e zuri gafil Perëndimin.

Eshtë shumë herët për të thënë se çfarë ndikimi politik dhe ekonomik do të lërë kjo pandemi, pasi të ketë ikur. Siç thotë Snowden, ” ka shumë më tepër gjëra që nuk dihen, se sa gjëra që dihen në këtë pandemi”. Megjithatë, me një përzierje të intuitës dhe fatit, Evropianët e Rilindjes ia dilnin të mbanin larg murtaja të egra, origjinën dhe mekanizmat e të cilave nuk i kuptonin. Shkenca e sotme është e aftë për shumë më tepër. Por modernizmi gjithashtu i ka lënë shoqëritë tona të prekshme në mënyra që, venedikasit e shekullit XIV as nuk mund t’i imagjinonin kurrë.

By I ZH

Leave a Reply