Dhjetëra shtetas të Maqedonisë së Veriut që kanë mbetur në Itali kërkojnë të kthehen në vendlindje.

Deri më tani janë organizuar 3 konvoje kthimi, por tani puna diku ka ngecur.

Feleki Bejruli po mundohet vullnetarisht që të organizojë udhëtimet, por edhe përkundër kontakteve që nga fillimi i majit, deri më tani nuk kanë asnjë lloj përgjigje nga Ambasada e as nga Ministria e Jashtme.

“Ne kontaktuam me ambasadat. Përgjigja që na u dha ishte se nuk dinë se çka të bëjnë, se nuk ka vend apo se nuk ka asnjë lloj organizimi”, tha Feleki Bejruli, banues në Itali.

Gjithsej janë 300, tregon Bejruli, por lista që tani është përpiluar përmban rreth 60 emra, pra vetëm të atyre që e kanë të pamundur të vazhdojnë të qëndrojnë në Itali.

“Persona me urgjencë që duhet të kthehen janë personat me familje, persona që rastësisht janë gjendur këtu në këtë situatë, që nuk jetojnë e punojnë në Itali por janë si turistë apo vizitorë të ndonjë familjari që gjenden në këtë shtet”, tha Feleki Bejruli.

Familjarët e këtyre personave, që shumica kanë mbetur edhe pa punë, nga shteti italian kanë marrë ndihma nga 400 ose 600 euro në muaj, por siç rrëfen Bejruli, me këtë shumë është thuajse e pamundur të përballohet jeta në këtë shtet evropian.

Besir Arifi, gazetar TV21:

“Përgjigje kërkuam edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme por nga këtu nuk na e siguruan askënd që të japë përgjigje para kamerës, gjë që na e pamundëson bërjen e pyetjeve shtesë. Nga këtu na u përgjigjen vetëm përmes e-maliit në të cilin shkruajnë se më 14 prill 2020 është organizuar fluturim me të cilin janë kthyer 152 shtetas, ndërsa janë organizuar edhe dy konvoje me autobusë. Më tej në e-mailin e Ministrisë së Jashtme shkruhet se:

Ministria e Punëve të Jashtme:

“Në përputhje me vendimin e Shtabit Qendror të Krizës, për Ministrinë e Jashtme ishte e obliguar të organizojë konvojë humanitare dhe kërkesa individuale për transit, veçanërisht të karakterit humanitar-shëndetësor. Procesi i riatdhesimit të shtetasve tanë që kishin mbetur të bllokuar në muajin e parë të krizës me pandeminë ka mbaruar dhe të gjithë ata që kishin nevojë të domosdoshme, Qeveria u doli në ndihmë, duke ndihmuar me angazhime konkrete për çka flasin edhe numrat”.

Nuk morëm përgjigje konkrete se pse Ministria nuk u ka kthyer përgjigje këtyre personave që duan të kthehen nga Italia dhe nëse po punohet për këtë rast.

E vetmja fjali në të cilën mund të shihet një fije shprese për ta është ku shkruhet se Ministria e Jashtme në bashkëpunim me qeveritë e shteteve të tjera do të vazhdojë ndihma për lejet individuale për transit atje ku kushtet do ta mundësojnë një gjë të tillë.

Ndërkaq Faleki Bejruli i tha TV21 se qytetarët e bllokuar pajtohen që të kthehen në çdo mënyrë të mundshme. Kjo sepse deri më tani u kanë dështuar 3 fluturime ajrore, ndërsa u ka dështuar edhe përpjekja për organizimin e konvojit me makina personale. Ata janë dakord edhe me mbajtjen e karantinës shtetërore.

By I ZH