Në faqen 395 të veprës “Biographie universelle, ou Dictionnaire historique des hommes qui se sont fait un nom par leur génie, leurs talents, leurs erreurs ou leurs crimes” (Biografia universale, ose Fjalori historik i njerëzve që janë bërë të njohur falë gjenisë, talentit, gabimeve ose krimeve të tyre…), gjejmë një rrëfim për shqiptarin Halil Patrona, 43-vjeçarin që nxiti revoltën e Kostandinopojës më 1730 dhe rrëzoi nga froni Sulltan Ahmetin e III-të.

Me kombësi shqiptare, fillimisht një marinar në galerën (anijen) “La Patrona”, nga e cila mori emrin e tij, ai ishte 43 vjeç kur nxiti revoltën e famshme të Kostandinopojës në 1730 (28 shtator 1730).

Pasi shërbeu në det dhe tokë, dhe pas disa vrasjeve, u bë jeniçer i Gardës së Sulltanit. Persianët, duke qenë në luftë me turqit, prenë hundët e 300 jeniçerëve që ranë në duart e tyre dhe i dërguan nëpërmjet detit në Turqi.

Veziri i Madh (Ibrahim Pasha), duke mos dashur që Kostandinopoja të bëhet dëshmitare e këtij spektakli të tmerrshëm, i mbyti këta njerëz të pafat. Patrona vendosi të hakmerret për këtë ofendim (shkelje); ai nxiti një revoltë (preteksti i të cilës ishte vendosja e një takse), në të cilën u bashkuan të gjithë jeniçerët. Ai i mbylli dyqanet e Kostandinopojës dhe pati guximin të dërgonte një grup ushtarësh në pallatin sulltanor, dhe të kërkonte që atij t’i dorëzoheshin Veziri i Madh Ibrahimi, guvernatori i Kostandinopojës dhe shefi i jeniçerëve.

Sulltani i habitur mblodhi bordin drejtues dhe, pas disa diskutimeve, ai dha urdhrin që t’u merrej fryma të tre personave që iu kërkuan, dhe i dërgoi trupat e tyre te rebelët. Këta të fundit, të befasuar dhe të irrituar, u ankuan se u kishin dërguar të vdekur ata që donin t’i kishin të gjallë, dhe me këtë pretekst rrëzuan nga froni sulltanin. Ata vunë në fron Mahmudin (Mahmudin e I-rë, djali i madh i Mustafait), nipin e tij, 33 vjeç, babai i të cilit ishte rrëzuar 25 vjet më parë dhe i cili (Mahmudi) hoqi taksën, shkak ose pretekst i revoltës.

Patrona qëndroi i qetë për ca kohë; por i mërzitur nga mungesa e aktiviteteve organizoi komplote të reja: emëroi njerëz, e quajti veten kapiten-pasha ose admiral, dhe pati guximin të përdorte arsenalin e tij.

Sulltani, në pamundësi të distancohej prej tij, e thërriti në seraje (nën pretekstin se do t’i besonte projekte të reja), ku e masakruan me të gjithë ata që e shoqëruan. /Darsiani/

By I ZH

Leave a Reply