Shefja e epidemiologjisë në ISHP Eugena Tomini, ka folur në Tv Klan për situatën aktuale me Covid-19, ku ditët e fundit ka pasur shifra të larta të të infektuarve. Lidhur me rikthimin e karantinës, pas shtimit të rasteve, Tomini tha se duhen respektuar masat për të mos u kthyer pas.

“Kemi një trend në rritje gjatë këtyre ditëve dhe fakti tregon për ulje të vigjilencës dhe zbatimit të masave të kujdesit ndaj Covid. Lehtësimi i hapjes graduale duhej të kishte një përgjigje përkundrejt zbatimit të distancimit fizik, mbajtjes së maskës në ambiente të mbyllura dhe ruajtjes së etiketës respiratore dhe higjienës personale. Por në fakt është evidentuar e kundërta, e për rrjedhojë do të kemi më shumë kontakte, ekspozim më të gjatë, një trend më të lartë të pozitiviteti sepse dhe gjurmimi është më aktiv” – th aja.

Por a mund të rikthehet karantina?

“Për t’ju thënë të vërtetën është më i rëndësishëm zbatimi i disa masave që janë shumë të thjeshta për të ecur para, se sa për tu kthyer pas. Të gjitha e provuam karantinën, të gjithë patëm efektin e masave të izolimit të theksuar, por është shumë e rëndësishme nëse duam të ecim përpara të zbatojmë protokollet e sigurisë nga të gjitha subjektet, institucionet, ndërgjegjësim më i madh tek e gjithë popullata për të mos u kthyer pas” – tha ajo.

Sa i takon situatës në spitale Tomini tha se aktualisht është e përballueshme me 120 shtretërit e Spitalit Infektiv. 

By I ZH