Mjekët e spitalit të Urgjencës në Lezhë refuzuan shpërblimin 5 mijë lekë nga qeveria gjatë periudhës së pandemisë, pasi thanë se iu ishte premtuar 1 mijë euro shperblim.

Ata i dërguan një peticion Ministrisë së Shëndetësisë ku kërkojnë që të paguhen 500-1000 euro me argumentin se deri tani kanë trajtuar 14 pacientë me COVID-19 dhe janë mjaft të rrezikuar në punën e tyre.

“Nuk na ka bërë shpërblimi që të punojmë 100%, por thjesht ça na kanë premtuar dhe ça u realizua, prandaj kemi vendosur që këtë shumë t’ua japim familjeve në nevojë. Ne do punojmë si me shpërblim si pa shpërblim. Kemi pas rreth 14 raste, puna është bërë fantastike, nuk ka pasur asnjë vdekje, që do të thotë shërbimi është bërë dhe do e bëjmë”, tha një nga mjekët. Megjithatë, gjesti që duhet vlerësuar nga ana e tyre është se këtë shpërblim prej 5 mijë lekësh, t’u kalohet familjeve në nevojë që po përjetojnë një moment të vështirë për shkak të situatës së krijuar.

Jemi njohur me shpërblimin që u është premtuar nga qeveria, por dje jemi lajmëruar se shpërblimi do jetë 5 mijë lekë të reja dhe ne të gjithë si staf, kemi vendosur që të shpërblim ta refuzojmë dhe t’i kalojnë për familjet në nevojë në këto ditë të vështirë. Nuk e dimë përse është ndryshuar shpërblimi, kështu ka ardhur nga Ministria. Spitali i Lezhës ka qenë gjithë ditën në gatishmëri të jashtëzakonshme, plus që me këtë rast gatishmëria ka qenë 120% ne kemi punuar dhe do vazhdojmë punën për t’i shërbyer të gjithëve”, tha mjeku.

Në 10 mars qeveria vendosi të shpërblejë mjekët dhe infermierët që do të jenë në vijën e parë të “luftës” kundër covid-19.  Gjatë mbledhjes së qeverisë, Kryeministri Rama u shpreh:

“Kemi vendosur që të gjithë personelin mjekësor, mjekë dhe infermierë, sanitarë dhe shoferë, të angazhuar në sistemin e vijës së parë në luftën frontale me koronavirusin, pra nga auto ambulancat që shkojnë për vendosjen e tamponave tek zona e blinduar e infektivit.

Do t’i paguajmë 1 mijë euro plus në muaj deri në përfundim e epidemisë mjekët dhe infermierët, ndërsa sanitarët dhe shoferët 500 euro plus.”

Sot Rama sqaroi se shpërblimi do të jetë për mjekët dhe infermierët që punojnë në spitalet COVID në Shqipëri, që aktualisht në funksion janë Spitali Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi”.

“Unë e kam thënë shqip që do të paguajmë 1000€ mbi pagën për mjekët e infermierët në Vijën e Zjarrit! Kush ka ngatërruar vijën e zjarrit në spitalet Covid e në autoambulanca, me detyrën e bluzës së bardhë në territor, duhet të kthjellohet e të mos turpërojë bluzën e bardhë! Kush i nxit nga jashtë kërkesat për shpërblime pa asnjë sens bën politikën e mbrapshtë që ka bërë gjithnjë dhe do ndëshkohet nga populli, kush nga brenda bëhet mashë politike cenon misionin e shenjtë e moralin e bluzave të bardha në këtë luftë dhe nuk do të justifikohet në vijim”, shpjegoi kryeministri në një status në rrjetet sociale.

By I ZH

Leave a Reply