Lajme Rajoni

Shqipëri, nuk kanë të ndalur infektimet me Covid, ja sa raste të reja u zbuluan në 24 orët e fundit

69 raste të reja me Covid 19 janë zbuluar në 24 orët e fundit në vendin tonë, 5 më shumë se dje, që u zbuluan 64 të tilla. Burime bëjnë me dije se qyteti me më shumë raste është Tirana, ndërkohë që pritet njoftimi zyrtar i Ministrisë së Shëndetësisë, edhe në rast se kemi pasur persona që kanë ndërruar jetë.

Gjatë ditës së djeshme humbën jetën 3 persona, ndërkohë që Ministria apelon qytetarët që të respektojnë masat. Një prej lajmeve që qarkulloi dje ishte dhe ai për mjekun e Hematologjisë Arjan Pushi, për të cilin u tha se ndërroi jetë, ndërkohë që ministria e rrëzoi një pretendim të tillë. Ishin kryesisht koleg të mjekut, ata që e dhanë lajmin në rrjetet sociale, ndërkohë që kjo pritet të jetë dhe një nga diskutimet në komunikimin e përditshëm të Ministrisë.

”Për të katërtën javë të vijimit të epidemisë vazhdon një situatë serioze e rasteve të konfirmuara pozitive me Covid19, e rasteve që kanë kërkuar shtrim në spital apo rasteve në terapi intensive. Një tjetër trend në rritje janë edhe rastet që kanë pësuar humbje jete. Të gjithë këta indikatorë tregojnë që virusi po vijon me të njëjtin intensitet transmetueshmërie dhe po paraqet raste me shenja klinike.

Prandaj u drejtohemi si çdo ditë, qytetarëve që të mos e ulin vigjilencën dhe të zbatojnë masat e vendosura, të mbajnë maskën kudo ku nuk është e mundur të ruhet distancimi fizik, kurse bizneset të zbatojnë protokollet e miratuara, për të ruajtur punonjësit por edhe qytetarët të cilëve u shërbejnë”, apelon vazhdimisht Ministria.