Politike Vendi

Sela: Shqiptarët 18 vite nderuan dëshmorët jo BDI-në, por tani do t’i dënojnë mashtruesit

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, tha se votuesit shqiptarë asnjëherë nuk janë mashtruar dhe nuk mashtrohen siç shpreson BDI.

“Vota e deritanishme për këtë subjekt ka qenë për të nderuar gjakun e derdhur, por në përgjimet e fundit shqiptarët e mësuan se kush është BDI dhe tani do t’i dënojnë ata”, tha Sela nga tubimi parazgjedhor i mbajtur në fshatin Çollopek të Tetovës.

Kreu i ASH-së tha se BDI nuk ka vlerësuar votën e shqiptarëve por i ka nënçmuar dhe vazhdon t’i nënçmojë duke menduar se mund ti mashtrojë me fjalë të mëdha.

– “I dëgjojmë teksa flasin fjalë të mëdhaja sepse ata mendojnë se këtë popull e kanë mashtruar dhe do vazhdoj ta mashtrojnë. S’është e vërtetë. Ky popull ka qenë mirënjohës dhe i ka parë mirë se kush janë. U ka dhënë disa herë mundësi, sepse nuk kanë dashur të shkelin mbi atë për të cilën deri dje derdhhën gjak. Por ky popull i pa tani, i pa fare qartë se kush janë, pati rastin edhe ti dëgjojë në përgjime se çfarë kanë bërë dhe ky popull tani do ti dënojë shumë fuqishëm në zgjedhjet e 15 korrikut, duke u orientuar te opsioni i vetëm shqiptar dhe kjo është Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa”, tha Ziadin Sela.

Prania e madhe e shqiptarëve në tubimin e mbrëmshëm në këtë fshat të Tetovës, sipas Selës është sinjal për dënimin e madh që me votë do t’ua japin ata mashtruesve të BDI-së.