Në Saraj, komunë që ditët e fundit shihet si vatër e COVID-19, vazhdon të ketë qytetarë që ende nuk besojnë në ekzistencën e këtij virusi. Banorët që anketuam thonë se maskat i mbajnë për shkak të frikës nga ligji dhe jo nga virusi. Disa madje maskat nuk i vendosin siç rekomandojnë institucionet shëndetësore, ose edhe më keq, i mbajnë në xhep.

“S’kam dëgjuar unë se ka virus. Maskën përse nuk e mbani? Ja në xhep e kam. Por në xhep nuk të mbron ajo. Epo e hoqa”.

“A e dini se maska nuk të mbron nëse e mban kështu?- Ndonjëherë e vendosim edhe kështu, ama këtu është përzier puna. Nuk i besoj asnjëherë, por patjetër e kemi të mbajmë maskën, sepse t’i merr 25 euro”.

“Nëse e ka shkruar Allahu, nuk ke ku të shkosh. – Po, por Zoti ka thënë mbrohu të të mbroj. Ja tek i mbajmë, i mbajmë”.

Dasmat janë një sfide më vete në këtë periudhë pandemie. Komandanti i stacionit policor në Saraj, Nafi Abdullah, thotë se si masë parandaluese i paralajmërojnë familjet për pasojat shëndetësore dhe ligjore që mund të pasojnë nëse organizojnë evente te tilla.

Kemi informacione se po përgatiten për dasma. Mirëpo, në bashkëpunim me bashkësitë lokale dhe me restorantet kemi arritur një marrëveshje, apo e kemi ulur në minimum mundësinë për organizim të dasmave – deklaroi Nafi Abdullah- komandant stacionit policor- Saraj.

Gjatë fundjavës, burimet e televizionit Alsat thanë se dasma dhe ahengje të tjera familjare janë zhvilluar në Saraj dhe Çair. Një ditë më parë zv/ministri i brendshëm, Agim Nuhiu apeloi deri tek qytetarët që të mos organizohen dasma apo ahengje të tjera, sepse do të intervenojë policia duke arrestuar, gjobitur dhe duke i vendosur pjesëmarrësit në karantinë kolektive.

By I ZH