Trajtimi spitalor i një pacienti të infektuar nga virusi korona, sistemit shëndetësor i kushton mijëra euro. Duke filluar nga diagnostikimi përmes testit, shërbimet klinike, terapia e barërave dhe dy testet tjera deri në shërimin e plotë, kostoja mesatare arrin në 2,628 euro për një pacient. Pacienti nuk paguan asnjë kosto. Këto të dhëna të Ministrisë së Shëndetësisë janë përllogaritur në 13 ditë qëndrim në spital të një pacienti me pasqyrë më të rëndë klinike të shkaktuar nga virusi korona.

MINISTRIA E SHËNDETËSISË:

“Që nga pacienti zero e deri në fillim të muajit gusht kostoja e përgjithshme e shërbimeve spitalore për të gjithë pacientët e hospitalizuar nga CoVid-19 ka arritur në 6 milion  ose afër 370 milion den.”

Zbërthimin e kësaj kostoje e bëmë nga të dhënat e ISHP-së, nga ku raportojnë se deri në fillim të gushtit, kur shifra e përgjithshme e të prekurve arriti 11-mijëshin, në kurim spitalorë janë trajtuar mbi 20% e pacientëve. Sipas tyre, aktualisht nga i gjithë vendi në kushte spitalore janë duke u trajtuar 338 pacientë me CoVid-19, prej tyre 109 në terapi oksigjeni dhe 12 në ventilim mekanik.

INSTITUTI I SHËNDETIT PUBLIK:

“Sipas hulumtimeve epidemiologjike deri më 2 gusht: Gjithsej kishte 11.054 pacientë të diagnostikuar. Prej tyre 2.285 pacientë ose 20,8% e në trajtim spitalor dhe 8.720 pacientë ose 78,1% kurim shtëpiak”

Ndërkaq, miliona euro janë shpenzuar edhe për testimet masive të dyshuarve me simptoma dhe personave tjerë të kontaktit. Deri më tani janë realizuar mbi 110 mijë PCR teste, ku sipas kostos tenderuese prej 3,500 denarëve për njësi, shtetit i kanë kushtuar mbi 6,2 milion euro. Vetëm 25 mijë teste janë donacione, të tjerat shpenzime të testeve të bëra në laboratorët e shtetit pacientët nuk i paguajnë nga xhepi i tyre por i mbulon Fondi i Sigurimit Shëndetësor.

By I ZH