Bota Lajme

Rifillim i ngadaltë i transportit ajror në Europë

Pas goditjes së kompanive ajrore nga COVID-19, trafiku po rifillon ngadalë në Europë me hapjen graduale të kufijve, por mijëra punonjës mbeten të kërcënuar, përcjell ATSH.

Sipas IATA-s, shoqata më e madhe e sektorit ajror, për shkaqe të kufizimeve në qarkullim dhe frikës së udhëtarëve, trafiku do të rifillojë tashmë në tregjet e brendshme, më pas ato kontinentale dhe në fund të tremujorit të katërt në fluturimet me distanca të gjata.

Ai do të rikthehet në nivelin e tij të 2019 vetëm në 2023.

Vendet europiane duhet të vendosin për një listë të propozuar prej 14 ose 15 shtetesh, udhëtarët e të cilëve do të pranohen në BE që prej 1 korrikut, që përjashton SHBA-në dhe përfshin Kinën me kushte.

Në Europë, javën nga 15 qershor deri më 21 qershor, 7 706 fluturime janë kryer mesatarisht në ditë, -77,9% në raport me të njëjtën periudhë në 2019, kryesisht nga “Turkish Airlines”, “Lufthansa”, “Wizz Air”, “Wideroe”, “DHL” dhe “Air France”, sipas organizatës Eurocontrol.

Në aeroportin e “Paris-Charles de Gaulle” trafiku ajror ka qenë më i madh, i ndjekur nga Frankfurti, Schiphol (Amsterdam), Heathrow (Londër) dhe Stambolli.

Në nivel botëror, trafiku i udhëtarëve arriti fundin në muajin prill duke u ulur me 94,3% në raport me prillin 2019.

Kryeqyteti portugez Lisbonës renditet në krye të rezervimeve të biletave me avion në Europë gjatë 15 ditëshit të parë të qershorit, para Parisit, Amsterdamit, Athinës, Romës, Madridit, Frankfurtit, Vjenës, Barcelonës dhe Londrës, sipas të dhënave të publikuara nga shoqëria e specializuar “Forwardkeys”.

Një vit më parë, kryeqyteti britanik kryesonte rezervimet. Kjo rënie pasqyron efektin e masave të karantinës, sipas shoqërisë.

“Vendet që kanë vendosur masat e karantinimit kanë regjistruar një rënie të trafikut e ngjashme me një ndalim të plotë të fluturimeve”, nënvizoi Brian Pearce, kryeekonomist i IATA.

Organizimi i linjave ajrore është shprehur në favor të zbatimit, nga aeroportet dhe kompanitë, të masave shëndetësore si mbajtja e maskës, matja e temperaturës dhe deklarimi i gjendjes shëndetësore.

Ndihmat qeveritare kanë shpëtuar mijëra vende pune dhe kanë mundësur për kompanitë të mbajnë limjat e tyre. Por kam frikë se më e keqja nuk ka ardhur ende”, theksoi Rafaël Schvartzman, nënkryetar i Shoqatës Ndërkombëtare të Transporti Ajror (IATA) për Europën.

“Zakonisht, kompanitë mbështeten në sezonin e verës për të krijuar rezerva financiare për muajt më të vështirë të dimrit (…) Nuk do të ketë rezerva verore këtë vit”, shtoi ai.

Kompanitë ajrore europiane pritet të regjistrojnë një humbje neto prej 21,5 miliardë dollarë në vitin 2020, krahasuar me një fitim neto prej 6,5 miliardë dollarë në vitin 2019, gjë që mund të kërcënojë gjashtë deri në shtatë milionë vende pune lidhur me aviacionin në EuropëË, sipas IATA-s.