Franca mbrëmë shënoi rekordin më të zi, që kur u shfaq pandemia COVID 19. Të gjithë sytë u kthyen kah ky shtet evropian, ku vetëm për 24 orë u shënuan gjithsej 1355 viktima nga Koronavirusi, shumica prej të cilëve në shtëpi të pleqve. Drejtori i Përgjithshëm i Shëndetësisë së Francës, Jerome Salomon i cili për herë të parë foli për vdekjet në spitale dhe ato në shtëpi të pleqve paralajmëroi se numri mund të jetë edhe më i madh, pasi të paktën 14 000 nga 1 milion francezët e moshuar që jetojnë në këso institucionesh, mund të preken nga virusi.

Të dhënat akoma po përpunohen. Gjithsesi shifrat fillestare tregojnë se 884 vdekje që kanë ndodhur nëpër shtëpi të pleqve kanë lidhje me COVID 19- tha Jerome Salomon, Drejtori i Përgjithshëm i Shëndetësisë së Francës.

Ndërkohë duket se përshkallëzimi i situatës në Spanjë po ndjek trendin e Italisë. Spanja konfirmoi së fundmi edhe një shifër prej 932 vdekjesh ditore, ndërsa me viktimat e sotme numri i përgjithshëm i të vdekurve arrin 11 mijëshin. Por autoritetet thonë se numri i infektimeve ditore është në rënie, ndonëse ky shtet me rreth 118 000 të infektuar është shteti i dytë me më së shumti të prekur, pas SHBA-së. Shtetet e Bashkuara ndërkohë me rreth çerek milion të infektuar, të enjten shënoi 1169 vdekje ditore, duke e çuar në mbi 6000 numrin e përgjithshëm të viktimave. Italia vazhdon të shënojë raste e viktima të reja çdo ditë por ditëve të fundit me një intensitet pak më të ulët. Ndërsa Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen i ka kërkuar falje Italisë që nuk e ka ndihmuar në ditët e para të përshkallëzimit të pandemisë, atëherë kur më së shumti kishte nevojë, duke theksuar se “Gjatë atyre ditëve, disa shtete anëtare mendonin vetëm për vete”. Ndërsa në reagimin e menjëhershëm, kryeministri italian, Xhuzepe Konte tha se Evropa duhet të reflektojë për vete jo për Italinë dhe se është koha për më shumë ambicie e unitet, duke theksuar “Përballë një stuhie si ajo e Covid-19 që prek të gjithë, kemi nevojë për një varkë jetese të fortë, evropiane ku do të strehoheshin të bashkuara të gjitha shtetet tona”.

Ndërkohë BE po shqyrton mundësinë e hapjes së kufijve, ndërsa synon që buxheti i ardhshëm i BE-së të merr formën e një “Plani të ri Marshall” për rimëkëmbjen e Evropës pas pandemisë. Nga ana tjetër, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka miratuar një rezolutë që kërkon “bashkëpunim ndërkombëtar” në luftën kundër pandemisë derisa në nivel global janë shënuar dhjetëra mijërat e para të milionëshit të dytë të të infektuarve. COVID 19 nuk po kursen as liderët, të cilët duhet të mbrojnë popullsitë vendase nga sëmundja. Së fundmi rezultoi pozitiv Ministri izraelit i Shëndetësisë, Yaakov Litzman; kryeministri britanik, Boris Xhonson vazhdon izolimin ndërsa kancelarja gjermane, Angela Merkel doli nga karantina. Derisa si një nga përfitimet anësore të masave parandaluese së fundmi është konfirmuar edhe qetësia e planetit, përkatësisht sizmologët po vërejnë shumë më pak dridhje të Tokës sesa para pandemisë.

By I ZH

Leave a Reply