Më 13 dhe 14 tetor 2020, ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Shkumbin Demaliaj si dhe zëvendës komandanti i UÇK-së për zonën operative të Pashtrikut, Sadik Halitjaha, kanë dhënë mbrojtjen e tyre në rastin e njohur si “Veteranët”.

Në këtë rast, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar po akuzohen, ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, deputeti Shkumbin Demalijaj, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ata po akuzohen për kohën sa ishin pjesë e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së UÇK-së.

Marrja në pyetje e Çekut, Demaliajt dhe të tjerëve, ishte ndaluar të publikohej në media nga gjykata, me arsyetimin se publikimi i mbrojtjes së tyre para se të gjithë të akuzuarit të japin mbrojtjen, do të dëmtonte procesin gjyqësor.

E pasi që të enjten ka përfunduar mbrojtja e të gjithë të akuzuarve në këtë rast, edhe kjo ndalesë e gjykatës për mos publikim të deklarimeve të akuzuarve në gjykatë ka pushuar së vlejturi.

Ish-kryeministri Agim Çeku, ka qenë i pari që ka dhënë mbrojtjen e tij. I njëjti, mbrojtjen e ka filluar në formë të një ekspozeje, ashtu që nuk ka pasur pyetje fillimisht nga avokati i tij, Ramë Gashi. Një gjë e tillë është kundërshtuar nga prokurori special Valdet Gashi, me arsyetimin se duhet që fillimisht avokati t’i parashtrojë pyetje të mbrojturit të tij.

Mirëpo, dhënien e mbrojtjes në këtë mënyrë e ka lejuar kryetarja e trupit gjykues, Nushe Kuka-Mekaj.

E gjatë dhënies së mbrojtjes së tij, Çeku ka thënë se kishte ardhur në krye të Komisionit për verifikimin e kategorive të dala nga lufta, pasi që ish-kryetari Azem Syla kishte dhënë dorëheqje.

Çeku ka treguar se qëllimi që kishte pasur ky Komision, kishte qenë që të vihet deri te një numër i saktë i të gjithë kategorive të luftës. Fillimisht, Çeku ka thënë se kishin ardhur afër 80 mijë aplikacione nga persona që pretendonin se i takonin njërës nga kategorive të luftës.

“E pranoj që për mu edhe për anëtarët tjerë ky numër ka qenë i papritur se një numër kaq i madh mendojnë se e meritojnë një status të tillë. Këtu fillojnë vështirësitë dhe dilemat e mia si kryetar i Komisionit se si do të përmbyllim këtë proces shumë voluminoz”, ka thënë Çeku.

Po ashtu, Çeku ka thënë se Komisioni në fjalë ka pasur 16 anëtarë ndërsa nga prokuroria janë akuzuar vetëm 12.

“Ne kemi punuar bashkë, punën e kemi kryer bashkërisht si na si ata që sot nuk janë të akuzuar. Unë kam dëgjuar të gjithë dëshmitarët dhe pretendimet e prokurorisë dhe nuk kam mundur të dijë arsyen se pse dikush akuzohet e dikush kursehet”, ka deklaruar Çeku.

Gjatë mbrojtjes së tij, Çeku ka thënë se i gjithë procesi ka zgjatur rreth katër vite e gjysmë, pasi që Komisioni kishte pasur synim që punën ta kryej ngadalë dhe mirë, duke shtuar se për verifikimin e një brigade kishin qenë të thirrur i gjithë zinxhiri i asaj brigade.

Sa i përket pakënaqësive të shfaqura gjatë procesit, Çeku ka thënë se disa komandantë ishin ankuar se jo të gjitha anëtarët e Komisionit janë duke i përfillur kriteret njëjtë siç e parasheh ligj, por sipas tij, nuk kishte pasur asnjëherë ndonjë ankese konkrete.

“Kam pasur thirrje në telefon apo njerëz në rrugë që më janë ankuar për disa parregullsi dhe për këto i kam treguar edhe anëtareve të Komisionit. Nuk ka pasur fare dashje apo qëllim për rritjen e numrit por qëllimi i jonë ka qenë që të vijmë deri te numri i saktë”, ka thënë Çeku.

Gjithashtu, Çeku ka shtuar se prokuroria gabimisht e kishte kuptuar definicionin e veteranit luftëtar.

“Prokuroria e kupton gabimisht definicionin e veteranit luftëtar dhe pjesëtarit të UÇK. Sa për ilustrim, kanë qenë disa pjesëtarë të shoqatës “Nënë Tereza” që kanë dërguar ndihma dhe kanë qenë disa bashkatdhetar të mi në Zare të Kroacisë që kanë dërguar një kamion ndihma dhe këta janë pjesëtarë të UÇK. Këta kanë marr detyra dhe kërkesa nga komandantët se çka ju nevojitet. Të gjitha ndihmat janë dorëzuar të shefi i logjistikes, i cili ka qenë i armatosur dhe i uniformuar”, ka thënë Çeku.

Po ashtu, Çeku i ka mohuar akuzat e prokurorisë edhe për fazën e ankesave që ishte bërë në Komision, pasi sipas tij, Komisioni për verifikim të kategorive të dala nga lufta kishte formuar një komision të ankesave dhe kishte hartuar një rregullore, mirëpo, të njëjtit nuk e kishin pritur numrin e madh të ankesave që kishin ardhur, e që sipas Çekut, kishin qenë rreth 30 mijë.

Çeku gjatë mbrojtjes së tij ka dhënë sqarime edhe lidhur me mos nënshkrimin e faqes së tretët të aplikacioneve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Prokuroria pretendon se me vetëdije nuk kemi nënshkruar faqen e tretë të aplikacionit. Aplikacioni ka qenë hapi i parë që kemi ndërmarrë dhe ashtu ka qenë ideja fillestare që duhet të nënshkruhet faqja e tretë. Pasi kemi miratuar metodologjinë e punës ku secili komandantë është përgjegjës për listën përfundimtare të veteranëve që do ta dorëzojë në Komision, e nënshkruan një deklaratë ku merr përgjegjësinë edhe ligjore edhe morale që kjo listë është e saktë dhe qëndron prapa asaj liste. Jemi dakorduar të gjithë në Komision, që secili komandat jep llogari vetëm për zonën e vet. Pas këtij dakordimi, atëherë ka qenë e panevojshme që komandanti i zonës së pestë të nënshkruaj për një aplikant të zonës se parë”, ka sqaruar Çeku.

Duke ju përgjigjur pyetjeve të prokurorit Gashi, se cili kishte qenë qëllimi i nënshkrimeve të zinxhirit komandues në faqen e dytë të aplikacionit, Çeku është përgjigjur duke thënë se një gjë e tillë ishte bërë që të vërtetohet në tri shkallë që aplikanti meriton statusin.

Prokurori Gashi e ka pyetur Çekun edhe për arsyen e dorëheqjes së një anëtari të Komisionit, pa specifikuar cilin, ku Çeku është përgjigjur se një gjë e tillë kishte ndodhur shkaku i mos pajtimit me ndërrimin e metodologjisë së shqyrtimit të ankesave.

Prokurori Valdet Gashi, të akuzuarit Çeku ia ka paraqitur edhe një aplikacion të një aplikanti duke e pyetur se si do të vlerësonte të njëjtin. Lidhur me të, Çeku është përgjigjur se në bazë të informacioneve në aplikacion, i njëjti do të kategorizohej si pjesëtar i UÇK-së.

“Si është e mundur që ky tashmë është veteran luftëtar dhe fiton pension si i tillë?”, ka qenë reagimi i prokurorit Gashi, me Çekun që është përgjigjur duke thënë se “Kush përfiton e çka përfiton është çështje e Qeverisë e jo e Komisionit”.

Duke ju përgjigjur pyetjeve të anëtarit të trupit gjykues, Kujtim Krasniqi, se a kishte qenë i kënaqur me mbarëvajtjen e krejt procesit të verifikimit, Çeku është përgjigjur duke thënë se numri i veteranëve që kishin dal, kishte qenë më i madh se sa kishin pritur, por sipas tij, numri prej 46 mijë e 230 veteranëve është shumë i saktë.

Gjyqtari Krasniqi e ballafaqoi Çekun edhe me një përgjigje që kishte dhënë në prokurori, ku kishte deklaruar se po të kishte pasur mundësi të fillonte procesin nga fillimi, do të refuzonte të bëhej pjesë e tillë shkaku i luhatjes së besimit në publik lidhur me këtë proces.

Lidhur me këtë, Çeku ka thënë se krejt në fillim, vetëm rreth 11 mijë veteranë ishin deklaruar si të papunë dhe ideja kishte qenë të ndihmohen ata.

“Jam i zhgënjyer se shumë nga bashkëluftëtarët kane bëre veprime të ndryshme me fitu pensione pa pasur nevojë, kane leshu punën, kane mbyll biznese dhe gjëra të tjera. Nuk mu kanë dok veprime prej luftëtarit. Fajin ja lo Qeverisë se ka nxjerr vendim administrativ shume fleksibil”, ka deklaruar Çeku.

Kur nga kryetarja e trupit gjykues, Nushe Kuka-Mekaj e ka pyetur lidhur me një deklaratë që kishte bërë gjatë një mbledhje të Komisionit, ku kishte thënë se numri i veteranëve është enorm por meqenëse është kohë e shkurtë, atëherë le të mbart secili përgjegjësinë për zonën e vet, ku Çeku është përgjigjur duke thënë se numri që ka dal, është më i madh se sa kanë pritur duke shtuar se kishte thënë se “kjo kthim prapa s`ka, Qeveria le të vendos çka don me bo”.

Po ashtu, Çeku e ka mohuar se ka pasur marrëveshje politike lidhur me numrin e veteranëve.

I akuzuari tjetër në këtë rast, Shkumbin Demaliaj, gjatë dhënies së mbrojtjes së tij ka thënë se në Komision kishte ardhur pasi që, ish-komandanti i Zonës së Dukagjinit, Ramush Haradinaj, kishte qenë duke u përballur me procesin gjyqësor në Gjykatën e Hagës.

Duke sqaruar mënyrën se si kishte shkuar verifikimi, Demaliaj ka thënë se secili anëtarë kishin ndarë detyrat në bazë të zonës operative prej nga vinin dhe së bashku me zinxhirin komandues kishin verifikuar aplikacionet dhe në bazë të tyre ishte përcaktuar statusi i aplikantëve nga zinxhiri komandues.

Në atë kohë, Demaliaj ka thënë se kishin qenë dy ligje të fushës së kategorive të dala nga lufta dhe të dytë ata ishin marr parasysh gjatë verifikimit të aplikacioneve.

Kur nga mbrojtësi i tij, avokati Arianit Koci është pyetur se a hyjnë edhe logjistika në kategorinë e veteranit luftëtar, Demaliaj është përgjigjur duke marr shembullin e Luan Haradinajt, për të cilin ka thënë se ka qenë komandant për logjistikë.

“Ne kemi një hero kombëtar të Kosovës që është Luan Haradinaj. Detyra e tij në momentin e ramjes ka qenë komandant për logjistikë në kuadër të shtabit të përgjithshëm. Nëse edhe Luan Haradinaj nuk ka qenë luftëtar i UÇK-së atëherë nuk paska pas fare UÇK”, është përgjigjur Demaliaj.

Sa i përket mos nënshkrimit të faqes së tretë të aplikacioneve, Demaliaj ka thënë se Qeveria ua kishte ndaluar punën Komisionit pa e përfunduar tërë procesin dhe duke qenë se kishin qenë 120 mijë aplikacione, Demaliaj ka deklaruar se nuk kanë pasur kohë t’i nënshkruajnë.

Sa i përket ankesave që ishin ushtruar nga aplikanët e pakënaqur, Demaliaj ka thënë se prokuroria nuk ka asnjë dokument të tillë, ndërsa shtoi se askush nuk kishte qenë i gatshëm të shqyrtojë ankesat e ushtarëve të një zone tjetër operative.

Pasi që u përgjigj në pyetjet e avokatit Koci, ky i fundit ka thënë se Demaliaj do të mbrohet në heshtje tash e tutje, mirëpo përkundër kësaj, i akuzuari pranoi që tu përgjigjet edhe pyetjeve nga palët tjera.

Pasi që prokurori special, Enver Krasniqi, ia prezantoi të akuzuarit Demaliaj një aplikacion të Zonës së Dukagjinit, ku siç kishte thënë, shihet se koha e përfundimit të shërbimit në UÇK ka qenë 9 shtator 1998, Demilaj u përgjigj se i njëjti aplikant është kategorizuar si “pjesëtar”, pasi nuk ka qenë pjesë e ndonjë brigade dhe nuk ka shërbyer deri në fund.

Përkundër kësaj, prokurori Krasniqi ka thënë se i njëjti aplikant figuron si veteran luftëtar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Po ashtu, prokurori Krasniqi ia prezantoi Demaliajt edhe një aplikacion të një personi nga Zona e Dukagjinit që figuron si veteran luftëtar dhe merr pension si i tillë, përkundër se siç ka thënë, i njëjti nga 16 korriku 1998 deri më 27 mars 2001 kishte qenë i burgosur në Serbi.

Lidhur me këtë, Demaliaj ka thënë se të njëjtit i është njohur kategorizimi si i internuar i luftës duke shtuar se ky kategorizim ishte bërë nga zinxhiri komandues.

Demaliaj u ballafaqua nga gjyqtari Kujtim Krasniqi edhe me një deklaratë që kishte dhënë në mbledhjen e 27-të të Komisionit, ku kishte deklaruar ndër të tjera se “për të gjithë ata që nuk kanë qenë luftëtar dhe kane hyrë në lista duhet mi dërgu në burg por duhet ditur se ata kanë futur krejt diasporën e gjysmën e Shqipërisë, e ku të mos ketë fryrje dhe po ashtu i kemi ndihmuar bashkëluftëtarëve që nuk kanë qenë deri në fund”, duke e pyetur të akuzuarin se çka kishte menduar me këtë deklaratë.

“Debati ka qenë në Komision lidhur me numrin, aty kam shfaq pakënaqësi se edhe një pjesë që kanë qenë pjese e fondit “Vendlindja thërret” edhe do brigada që kanë qenë në Shqipëri që kane qenë të mobilizuara dhe në asnjë moment nuk kanë hyrë në Kosovë dhe ju ka njohtë statusi, kjo ka qene pakënaqësi e imja sepse s`ka mundur të jetë i barabartë dikush që asnjëherë s`ka qene në luftë me ata që kanë qenë në vazhdimësi”, është përgjigjur Demaliaj.

Demaliaj është pyetur nga gjyqtari edhe lidhur me një marrëveshje politike të cilën e kishte potencuar në prokurori, por sipas të akuzuarit, kjo marrëveshje politike kishte të bënte me miratimin e ligjit nr. 04/L -261 për veteranët e luftës së UÇK-së.

E gjatë marrjes në pyetje të të akuzuarit Demaliaj, kryetarja e trupit gjykues, Nushe Kuka-Mekaj, i shqiptoi vërejtje avokatit Koci për shkak se siç ka thënë, ndërhyrjeve të vazhdueshme të tij.

I akuzuari tjetër në këtë rast, Sadik Halitjaha, gjatë dhënies së mbrojtjes së tij në seancën e 14 tetorit 2020, ka deklaruar se Komisioni pjesë e të cilit kishte qenë, kishte vepruar në bazë të dy ligjeve që rregullonin këtë fushë dhe që asnjëri nuk e kishte abroguar njëri tjetrin. Vendimet në Komision, Halitjaha ka thënë se ishin marr me shumicë votash, edhe pse ndonjëherë nuk kishte votuar por vetëm ishte marr qëndrim nga Komisioni.

“Zhurma e mediave dhe analisteve ka bo që ky proces të shndërrohet në aferë. Unë dyshoj që prokurori Blakaj që dezertoi nga ky proces ka pas një qëllim të azilit apo i shtym nga dikush tjetër, unë nuk e di. Nuk e di qe ka pas kërcenim dikush”, ka thënë gjatë mbrojtjes së tij, Halitjaha.

Halitjaha është pyetur nga prokurori Valdet Gashi, se a kishte pasur pakënaqësi lidhur me zbatimin e kritereve gjatë verifikimit, me të akuzuarin që kishte thënë se ka pasur, mirëpo edhe në ato raste vendimet janë marr me shumicë votash.

Gjatë ballafaqimit me disa deklarime të të akuzuarit Halijaha në prokurori, trupi gjykues vërejti se ato procesverbale të marrjes në pyetje nuk ishin nënshkruar nga prokurori duke thënë se për këtë çështje do të marrin një vendim më vonë.

Ndërsa, të akuzuarit, Nuredin Lushtaku, Qelë Gashi, Smajl Elezaj, Xhavit Jashari dhe Fadil Shurdhaj, u mbrojtën në heshtje. Ky i fundit, të gjitha seancat i ka ndjekur në mënyrë virtuale për shkaqe shëndetësore.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 qershor të vitit 2019, e kishte konfirmuar aktakuzën, ndërsa këtë vendim e kishte konfirmuar edhe Gjykata e Apelit në gushtin e këtij viti.

Me aktakuzën e PSRK-së, po ashtu ishte kërkuar që Gjykata Themelore në Prishtinë, që të urdhërohet Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), që të pezullonte pagesën e pensioneve për 19.500 veteranë, deri në përfundimin e procesit gjyqësor.

Por, më 1 prill 2019, gjykata e kishte refuzuar këtë kërkesë me arsyetimin se propozimi për masën e përkohshme nuk është ndaj të akuzuarve, por ndaj MPMS-së, si palë e tretë.

Sipas aktakuzës së përgatitur nga ish-prokurori special, Elez Blakaj, personat e përfshirë akuzohen se prej vitit 2011 deri në vitin 2017, duke vepruar si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat me dashje dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë personat e tjerë në mënyrë të kundërligjshme, në vazhdimësi, në dëm të Buxhetit të Republikës së Kosovës.

Në këtë aktakuzë janë të përfshirë 12 persona të cilët ngarkohen me veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Siç kishte raportuar “Betimi për Drejtësi”, listës së personave të akuzuar i prinë Agim Çeku, i pasuar nga Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

PSRK-ja, po ashtu i kishte propozuar kësaj gjykate që ta lëshoj masën për ndalimin  e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteran luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale..

Tutje, sipas PSRK-së, nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej  68.153.533.14 euro.

Ndërsa, me aktakuzën e dorëzuar në gjykatë më 7 dhjetor 2018, pretendohet se buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej  88.769.217.04 euro.