Në këtë pandemi që na ka kapluar, të gjithë kemi nevojë për këshilla psikologjike, që mund të na e lehtësojnë situatën. Këto këshilla jep për të gjithë e lexuesit e BiMedia, psikologia nga Tetova, Halime Rustemi, magjistre e psikologjisë, njëkohësisht edhe bashkëthemeluese e shoqatës për fëmijët me autizëm “Ura Blu” në Tetovë. Në intervistë ajo gjithashtu tregon se si mund të ndikojë situata e krijuar tek fëmijët dhe të rriturit dhe cilat janë metodat më të mira për të kaluar këtë situatë më qetë.

BiMedia: Fillimisht a mund tna tregoni si e kaloni kohën tuaj në karantinë?

Halime Rustemi: Si shumica e njerëzve në botë edhe unë bashkë me familjen time respektojmë vendimin dhe këshillat e profesionistëve shëndetësorë, qëndrojmë në shtëpi. Kohën më të madhe e kaloj me kujdesin, argëtimin dhe edukimin e dy djemve të mi, Muhamedit (4.5 vjeç) dhe Aliut (1.5vjeç), gjithashtu me vetëzhvillim, lexim apo dëgjim të librave, dhe me obligime të tjera shtëpiake. Këtë muaj që kombëtarisht njihet si muaji i Ndërgjegjësimit rreth Autizmit, që nga 2 prilli unë (si bashkëthemeluese dhe terapiste e shoqatës për fëmijët me autizëm në Tetovë “Ura Blu”) kam përkthyer ligjeratat e pesë seminareve online (për studentët, profesionistët dhe prindërit), që kemi realizuar me tre ekspertë nga Turqia. Gjithashtu mbështes dhe ndihmoj prindërit e fëmijëve me autizëm përmes rrjeteve virtuale se si të punojnë detyrat e caktuara dhe se si të menaxhojnë sjelljen e tyre.

BiMedia: Të qëndrosh mbyllur në shtëpi, sidomos për një kohë ta pacaktuar është një stres i madh për shumë njerëz, cfar këshille jepni ju si psikologe, si mund ta përballojmë këtë situatë?

Halime Rustemi: Ne çdo ditë ndëgjojmë informata të reja nga më të ndryshmet rreth virusit dhe rreth vendimeve autoritare të kufizimit të lëvizjeve tona, dhe ankthi i pritjes se çfarë lajme do të marrim nesër është më se normale të shkaktojë tek ne shqetësim dhe anksiozitet. Mirëpo që të përballoni këtë situatë ju duhet të:

– Përcaktoni një orar të caktuar (p.sh. një herë në ditë) leximin apo ndëgjimin e lajmeve nga mediat sociale, me ç’rast do të mund të qëndroni të informuar pa u mërzitur.

– Kujdesuni për veten, angazhohuni në zakone të shëndetshme sa më shumë që të jetë e mundur, hani ushqime të shëndetshme dhe që e rrisin imunitetin, bëni stërvitje dhe ushtrime të frymëmarrjes, kujdesuni për gjumin tuaj dhe shmangni zakonet e këqija.

– Shijoni hobit e juaja, përfshihuni në aktivitete relaksuese, si leximi i një libri, gatimi i një vakti të këndshëm ose bërja diçka krijuese si piktura, etj.

– Takohuni me miqtë dhe familjen tuaj përmes telefonit apo rrjeteve sociale, ndani shqetësimet dhe ndjenjat e juaja. Distancimi fizik nuk do të thotë edhe izolim social!

BiMedia: Cfarë ju shqetëson juve më shumë, kur bëhet fjalë për shëndetin mendor tek njerëzit gjatë kësaj pandemie (Dmth cka mendoni se mund të ndikojë më keq në shëndetin mendor?)

Halime Rustemi: Përhapja e virusit COVID-19 është stresuese për të gjithë njerëzit, por mënyra se si ne reagojmë ndaj situatave stresuese është krejtësisht individuale. Frika dhe ankthi që përjetohen mund të jenë dërrmuese dhe të shkaktojnë emocione intenzive tek të rriturit dhe fëmijët. Ky stres gjatë përhapjes së sëmundjes infektive mund të përfshijë frikësim dhe shqetësim për shëndetin tuaj dhe shëndetin e të dashurve tuaj, ndryshime në gjum ose në përqëndrim, ndryshime në mënyrat e të ngrënit, përkeqësim të problemeve shëndetësore kronike, përkeqësim të shëndetit mendor, formim apo shtim të shprehive të këqija si, përdorimi i shtuar i duhanit, alkoolit, drogës e të tjera.

Shumë dijetarë thonë se kemi hyrë në një epokë të re dhe se pas këtij virusi bota nuk do të jetë më e njëjtë në shumë fusha. Aftësitë më të rëndësishme që ne duhet t’i zhvillojmë për të ruajtur shëndetin mendor janë aftësia për t’u përshtatur me ndryshimin, aftësitë e komunikimit dhe aftësitë e të menduarit krijues.

BiMedia: Jeta e fëmijëve ka ndryshuar brenda dy javëve, nuk shkojnë edhe në shkollë, si mund tjua shpjegojmë fëmijëve këtë situatë, pa i vendosur në panik?

Halime Rustemi: Në përgjithësi fëmijët dhe adoleshentët reagojnë mbi ato që shohin nga të rriturit përreth tyre. Kur prindërit janë të informuar dhe reagojnë me qetësi dhe besim ndaj situatës së Covid-19, ata mund të ofrojnë mbështetjen më të mirë për fëmijët e tyre, sepse fëmijët mund të keqinterpretojnë atë që dëgjojnë dhe mund të frikësohen për diçka që nuk e kuptojnë dhe nuk e njohin.

Bisedoni me fëmijën ose adoleshentin tuaj për këtë pandemi, përgjigjuni pyetjeve të tyre varësisht nga mosha dhe niveli i të kuptuarit, ndani fakte në lidhje me sëmundjen, siguroni ato se nëqoftëse i respektojnë masat preventuese janë më të sigurtë dhe njoftojini se është normale nëse ndjehen të mërzitur. Mundohuni të vazhdoni me rutinat e rregullta. Nëse shkollat janë të mbyllura, krijoni një orar për aktivitete mësimore dhe aktivitete relaksuese ose argëtuese. (përdorni këshillat e menaxhimit të situatës stresuese si tek të rriturit, në përgjigjen nr.2).

Nëqoftëse prindërit vërejnë ndryshime të mëdha në sjelljen e fëmijës apo adoleshentit (qarje apo acarim i tepërt, regres, trishtim, humbje oreksi, ndryshime gjumi, performancë e dobët shkollore ose shmangie e mësimit, shmangie e kryerjes së aktiviteteve të shijuara në të kaluarën,  vështirësi me vëmendjen dhe përqëndrimin, nervozë, irritim dhe sjellje shpërthyese në adoleshencë, dhimbje koke apo trupi, duhet kontaktuar profesionistët.

BiMedia: Bashkëveprimi shoqëror tek fëmijët është shumë i rëndësishëm, por në këtë situatë është pothuase e pamundur, cfarë sygjeroni që mund ti ndihmojë fëmijët të vazhdojnë zhvillimet e tyre dhe të përballojnë situatën?

Halime Rustemi: Prindërit duhet të bëhen rol model për fëmijët e tyre, prandaj në fillim ata duhet të monitorojnë sjelljen e tyre dhe të menaxhojnë mirë situatën. Sëmundja koronavirus (COVID-19) sjell me vete ndjenja ankthi, stresi dhe pasigurie – dhe ato ndjehen veçanërisht fort nga fëmijët e të gjitha moshave. Megjithëse të gjithë fëmijët ballafaqohen me emocione të tilla në mënyra të ndryshme, kur fëmija përballet me mbylljen e shkollës, ngjarje të anuluara ose ndarje nga miqtë, shëtitjet, aktivitetet grupore, ndeshjet sprotive, ahengjet etj. ata pikërisht tani do të duhet të mbështeten dhe të ndjehen të dashur më shumë se kurrë. Sepse fëmijët dhe adoleshentët  janë thellësisht të zhgënjyer nga mungesa e tyre. Në fushën e jetës së një adoleshenti këto janë humbje të mëdha, por që duhet të lehen që fëmijët t’i ndjejnë-t’i përjetojnë këto emocione. Mbështetni, pritni dhe normalizoni që ato janë shumë të trishtuar dhe shumë të frustruar për humbjet të cilat i vajtojnë/përjetojnë.

Prindërit duhet të kenë një bisedë të qetë dhe aktive me fëmijët e tyre rreth sëmundjes dhe situatës dhe të kenë kontroll për ato që dëgjojnë fëmijët, sepse qarkullojnë shumë dezinformata rreth virusit, të cilat i shqetësojnë ata, pra, duhet t’i inkurajojnë fëmijët që ata t’i drejtohen miqve ose të rriturve për ndihmë dhe mbështetje.

Fëmijët kanë nevojë për strukturë, gjegjësisht, ata duhet të kenë orare të caktuara se kur është koha e lojës, kur mund  të merren me punë ndihmuese  shtëpiake, kur mund të kontaktojnë miqtë e tyre në telefon dhe rrjete sociale. Gjitashtu duhet krijuar shpërqëndrues pozitiv (pregatitje e ushqimeve, lojëra familjare, aktivitete të ndryshme), kur fëmijët kanë nevojë për lehtësim nga ndjenjat e mërzisë.

BiMedia: Sa mendoni se ndikojnë informacionet e tepërta në lidhje me pandeminë tek të rriturit?

Halime Rustemi: Mendoj që e rrisin më shumë ankthin dhe stresin. Sepse duke kërkuar informata të sakta ju haseni edhe me teori të ndryshme rreth shkaktimit të koronavirusit, rrezikut e shërimit nga ai virus, dhe nga këto informata të bollshme ju bëheni më konfuz. Prandaj  sugjerohet  që njoftimet të merren nga burime të besueshme dhe me shkëputje nga rrjetet sociale, pra, me kufizime në kohë dhe orar të caktuar në ditë.

BiMedia:  A mendoni se të lexuarit, filmat si dhe ushtrimet në shtëpi mund të ndihmojnë në psikologjinë e njerëzve, për ta kaluar sa më mirë këtë situatë?

Halime Rustemi: Po, mendoj se veçanërisht të lexuarit, aktivitet e ndryshme të përbashkëta familjare  dhe formimi i rutinave të reja të dobishme ndihmojnë mjaft  në menaxhim të situatës. Gjithashtu mund të shfytëzoni kohën duke shikuar mjaft filma të mirë. Ska dyshim se aktiviteti fizik ndikon mjaft në uljen e stresit dhe përveç përfitimeve shëndetësore fizike efektet pozitive në mirëqenien emocionale janë të shumta.

BiMedia: Një mesazh për të gjithë?

 Halime Rustemi: Pas çdo vështirësie vjen lehtësimi, çdo sprovë e bën individin të reflektojë, të mendojë më thellë e t’i kthehet vetes. Secili nga ne le ta  shfrytëzojmë këtë kohë izolimi shtëpiak duke kaluar çaste të këndshme dhe kualitative me familjen tonë.

Edhe pak më shumë durim, dhe me ndihmën e Zotit do t’ia dalim.

Ju uroj shëndet të gjithëve!

 Ju faleminderit!

BiMedia

By I ZH

Leave a Reply