Partia Socialdemokrate ka thënë se anëtari i kësaj partie Frashër Krasniqi, është sulmuar nga kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Gashi.

“Albin Gashi, ish kandidati i VV- së për deputet dhe djali i Tomë Gashit, ka sulmuar fizikisht Frashër Krasniqin. Pa asnjë arsye dhe pa asnjë zënkë paraprake. I njëjti, duke sulmuar shante Nol Nushin”, thuhet në komunikatën për media të PSD-së.

“Sharjet masive, kërcënimet e linqimet janë mënyrë funksionimi e partisë në pushtet. Nevojitet pak gjë që kjo gjendje e dhunës të shndërrohet në manifestim konkret”, thuhet tutje në komunikatë.

Me këtë rast, sipas PSD-së, duhet të merret Policia e Kosovës.

“Kur argumenti i vetëm është ai i numrave dhe i forcës, sigurisht se mujsharia është sjellja politike që pason. Kjo mënyrë e pushtetit të shkuar nuk supozohej me qenë pushteti i ri. Me këtë rast dhe rastet e ngjashme duhet të merret policia, por tejkalimi i kësaj gjendjeje është i mundur vetëm përmes demokratizimit të shoqërisë. Pengesa kryesore për këtë gjë sot është partia në pushtet”, thuhet në fund të komuinkatës për media.

KALLXO.com ka kontaktuar me Tomë Gashin, babain e Albin Gashit, për ta konfirmuar rastin.

“Jo, nuk kam informatë, hera e parë po dëgjoj prej juve. Nuk besoj që ma ka rrah dikush klientin tim, sepse ai është klienti im”, tha tutje ai.

By I ZH