Shtatë persona janë proceduar penalisht nga Policia e Tiranës për protestën e zhvilluar ditën e djeshme në sheshin “Skënderbej”, kundër masave kufizuese të vendosura nga qeveria për COVID-19.

Sipas informacioneve, mes të proceduarve janë dhe 3 organizatorët e tubimit. Policia ka deklaruar se protesta ishte e paligjshme pasi nuk ishte marrë leje nga autoritetet përkatëse.

Policia deklaron se protestuesit kanë prishur rendin dhe qetësinë publike, ndërsa veprime etre bëhen dhe më të rrezikshme referuar situatës së jashtëzakonshme në kohë pandemie, ku ndalohen me ligj grumbullimet apo tubimet.

Mësohet se shtetasit Z.I., K.B. dhe S.G., në rolin e organizatorëve të protestës, më herët kanë bërë thirrje në rrjete sociale për protesta e tubime.

Po ashtu, policia u ka vendosur edhe gjobë, pasi asnjëri prej tyre nuk ka patur autorizim për të dalë. Policia njofton se po punohet për shoqërimin e personave të tjerë që kanë marrë pjesë në protestë, pasi janë fotografuar dhe identifikuar.

Materialet i kaluan Prokurorisë në ngarkim të organizatorëve, për veprat penale “Prishja e rendit dhe qetësisë publike” dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në tubime të paligjshme”.

By I ZH