Publicisti Uk Lushi ka reaguar pas zhvillimeve të fundit politike në vend.

Ai ka shkruar në Facebook se nëse Kurti nuk e ka pushtetin qëllim mbi qëllime, atëherë duhet t’ia dërgoj presidentit emrin për kryeministër.

“Kurti do të bënte mirë që si kandidat të zëvendësojë atë si kryeministër ta paraqesë Ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia. Vitia ka punuar shkëlqyeshëm profesionalisht, është sjellë mirë dhe ka qenë mullari de facto i qeverisë Kurti këto ditë të vështira koronore, ka shkruar Lushi.

Reagimi i plotë:

Një propozim

Nëse Albin Kurti nuk e ka pushtetin qëllimin mbi qëllime, ai duhet të dërgoj emrin e kandidatit të ri për Kryeministër në Presidencën e Kosovës.

Vendimi i mbi 80 deputetëve për shkarkimin e Kurtit është legalisht valid dhe demokratikisht legjitim. Kurti nuk mund të mbyllë sytë para dackës demokratike që i kanë dhënë dy të tretat e përfaqësuesëve të zgjedhur nga populli në Kuvend.

Kurti do të bënte mirë që si kandidat të zëvendësojë atë si kryeministër ta paraqesë Ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia. Vitia ka punuar shkëlqyeshëm profesionalisht, është sjellë mirë dhe ka qenë mullari de facto i qeverisë Kurti këto ditë të vështira koronore. Koha e pandemisë kërkon më shumë njerëz si Vitia se sa politikanë si Kurti.

Kandidati Vitia mandej duhet të mbledhë në qeverinë e tij sa më shumë parti nga spektri parlamentar dhe kështu evitohet kriza politike derisa të kalojë kriza shëndetësore. Paraprakisht krijimit të Qeverisë Vitia partitë dhe institucionet e Kosovës do të duhej të merren vesh për datën e zgjedhjeve të reja gjashtë muaj pasi të kthehet normaliteti dhe siguria shëndetësore e shkaktuar nga virusi Corona.

Kjo zgjedhje e largon Kurtin nga kolltuku, por ja lë qeverinë VV-së si parti me një deputet më shumë se e dyta parti, LDK-ja.

Kjo lëvizje e Kurtit do t’i mundësonte pushtetit të përqendrohet në pandeminë Covid-19, do të mënjanonte betejat dhe lojërat politike që humbin kohë dhe energji të çmueshme këto ditë të vështira dhe do të tregonte që Kurti mbi veten e vë Kosovën. Albin Kurtii, ashtu-kështu, me apo pa planifikim por gjithësesi jo fort lavdueshëm demokratikisht, pak para se të bëhej kryeministër, ndryshoi statutin e VV-së dhe mbajti edhe rolin e kryetarit të VV-së nën sqetullën e tij. Funksionin e kryetarit të partisë e ka nën kontroll dhe p.sh. në procese politike dhe dialog me Serbinë Kurti mund të merr pjesë si kryetar i VV-së.

Në zgjedhjet e reja, pas Qeverisë Vitia, Kurti, nëse nuk ka kundërkandidat për kryeministët në VV dhe partia VV e rikandidon për të parin e qeverisë, mund të garoj dhe fitoj përsëri, mbase, si e besojnë ai dhe VV, mbi 50% të votave dhe kështu mund të formojë Qeverinë Kurti 2 pa asnjë parti tjetër në bashkëqeverisje duke kontrolluar Kuvendin dhe Presidencën.

Kurti e ka rastin të tregojë a e do më shumë kolltukun apo Kosovën.

Unë besoj që ai e do më shumë Kosovën dhe kombin shqiptar, prandaj për Kosovën dhe kombin shqiptar ai duhet t’ ja lëshojë vendin njeriut kryesor në qeverinë e tij prej formimit të saj– Arben Vitisë. Deri në zgjedhjet e reja kur populli do të vendosë për Albin Kurtin dhe secilin kandidat pretendues.

By I ZH

Leave a Reply