Për të katërtën herë me radhe Shoqata për Zhvillimin e Kulturës “Porta Skupi”, organizoi panairin “Artizanatet dhe gruaja”. Panairi njëditor u mbajt në Parkun e Qytetit të Shkupit tek Guaca nga ora 10 deri në orën 16, ku gra të profileve të ndryshme, promovuan vlerat tradicionale si ushqimore ashtu edhe punime dore të trashëguara nga brezi në brez.

Panairin e hapi kryetarja e Shoqatës për Zhvillimin e Kulturës “Porta Skupi”, Arlinda Kalisi.

“Jemi këtu në panairin tradicional që po e organizojmë për herën e katërt me radhë, për t’i dhënë dritë traditave tona shekullore, besojmë që në vitet e ardhshme ta begatojmë edhe më shumë manifestimin, pasi këtë vit kemi reduktuar numrin duke respektuar Rregulloren për parandalimin e Kovid19. Në panair siç e shihni promovohen vlerat muzikore, ushqimore, filigrane e punime dore”, tha Kalisi.

Panairin e përshëndetën edhe zonjat e suksesshme Elita Zylbeari Masha, Edlira Destani dhe Luljeta Ademi. Elita Zylbeari Masha, e cila njihet si menaxhere e suksesshme në drejtimin e Willson School, sipërmarrëse dhe ambasadore, përshëndeti manifestimin duke frymëzuar femrat për të shkuar drejtë ambicieve të tyre.

“Femra duhet të rritet me vetëbesimin, guxim dhe traditë në mënyrë të ketë sukses në jetë dhe të jetë e pavarur. Vetëm me guxim dhe sakrificë do të kalojmë edhe këtë krizë globale që ka kapluar botën me virusin korona”, tha mes tjerash Zylbeari Masha.

Ndërkohë, kryetarja e Shoqatës së Fëmijëve me aftësi të kufizuar “Dua Ylberin”, Edlira Destani mes tjerash tha “Gratë janë më të forta seç mendoj, atë e shoh që ditë në shoqatën time, kur shoh nëna se pos punëve të tjera, kujdesen aq shumë edhe për femijët e tyre me nevoja të veçanta dhe bashkë mund t’ia dalim”, tha Destani.

Edhe Luljeta Ademi, me profesion është përkthyese ndërsa aktualisht këshilltare e presidentit të RMV-së, tha se “asnjëherë aftësia e kufizuar nuk duhet të merret shkas për tu ndalur dhe për të mos arritur majat e suksesit.

“Gratë e heshtura janë pikërisht ato që zëshëm flasin veprat e tyre artizanale”, u shpreh Ademi. Në Panair performoi Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Ilirida” nga Shkupi, këngëtari Agron Kalisi dhe Laura Kërliu. Gjithashtu morën pjesë edhe studentët e Fakultetit të Arteve të cilët vizatuan punime të artizanateve tradicionale shqiptare.

Ndryshe, ky manifestim është mbështetur nga Ministria e Kulturës, NP “Parqe dhe Gjelbërime”, Kompania Tikvesh, Kompania KomKonstruktion, Komuna e Sarajit dhe TV21.

By B I