Një polic i Kosovës i stacionit në Shtërpcë është suspenduar nën dyshimet se ka vjedhur një telefon celular gjatë një kontrolli të kryer në zonën e tij të përgjegjësisë.

KALLXO.com mëson se Policia kishte marrë informacione se në një fushë futbolli në Shtërpcë disa qytetarë po luanin futboll ndërsa pas intervenimit të Policisë disa prej personave ishin larguar duke i lënë gjërat e tyre në fushë.

Në mesin e gjërave ishte edhe një telefon celular, të cilin më pas pronari është kthyer për ta kërkuar në stacionin e Policisë.

Kamerat e sigurisë dhe GPS i telefonit kanë zbuluar se telefoni ishte marrë nga polici, i cili nuk e kishte deklaruar në stacion.

Për rastin është informuar Inspektorati Policor i Kosovës ndërsa polici është suspenduar për 72 orë.

Suspendimin e tij e ka konfirmuar drejtori rajonal i Policisë në Ferizaj, Emin Beqiri.

“Po, është suspenduar për 72 orë edhe hetimet është duke i kryer Inspektorati. Arsyet janë se dyshohet që ka keqpërdorur detyrën në një rast por pa hy në detaje sepse nuk e di. Unë kam qenë i obliguar në bazë të ligjit ta kryej edhe suspendimin”, ka thënë Beqiri për KALLXO.com.

By I ZH