30 piktorë nga Shqipëria, Kosova, Ballkani dhe disa vende të Europës janë bërë pjesë e Kolonisë së Artit Pogradec 2020. Qyteti liqenor do të kthehet në frymëzimin e artistëve që do të hedhin në telajo peizazhet e shumta apo që do të sjellin edhe tematika të tjera ndërsa aktiviteti ka nisur me një demonstrim të veçantë.

Në “Sheshin e trëndafilave” piktorja maqedonase ka shpalosur e para talentin në artin figurativ duke demonstruar një teknikë të veçantë. Së bashku me të piktorët nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova kanë performuar në natyrë tek “Sheshi i trëndafilave”, raporton Vizion Plus.

Nën tinguj muzikorë të këngëtares Mariza Ikonomi, ata kanë hedhur në telajo bojrat shumëngjyrëshe sipas perceptimit të tyre.

Aktiviteti i veçantë do të shtrihet në kohë për shkak të pandemisë ndërsa në shtator do të përmbyllet me një ekspozitë.

Pogradeci konsiderohet një muzë për këta artistë qe ndër të tjera shkëmbejnë edhe eksperienca së bashku.

Ky aktivitet pasuron fondin e qendrës kulturore të Pogradecit dhe ndërkohë gjallëron jetën e këtij qyteti.

Art Koloni 2020 Pogradec ka bërë qe artistët nga Ballkani dhe Europa ta kthejnë Pogradecin për dy javë në qendrën Ballkanike të artit dhe kulturës.