Të mërkurën rreth 187.000 nxënës në shkollat fillore dhe rreth 70.000 nxënës në shkollat e mesme, u rikthyen në bankat shkollore pas një pauze të gjatë si shkak i masave të virusit korona. Por këta numra janë tejet të ulëta në krahasim me numrin e nxënësve të regjistruar në shkollat fillore dhe të mesme gjatë vitit shkollor 2000/2001. Sipas numrave të nxënëseve të regjistruar gjatë vitit 2000/2001 dhe numrave të këtij viti shkollor, shkollat e Maqedonisë së Veriut, kanë humbur rreth 85.000 nxënës.

Sipas të dhënave të Entit Shtetëror për Statistika (ESHS), shkollat fillore do të kenë 62.000 nxënës më pak në krahasim me vitin shkollor 2000/2001 derisa shkollat e mesme do të kenë afër 23.000 nxënës më pak gjatë këtij viti shkollor.

Pedagogët universitar dhe sociologët komentojnë rënien e numrit të nxënëseve në shkollat e vendit tonë. Ata thonë se kjo rënie vjen si shkak i migrimit dhe rënies së lindshmërisë. Profesori universitar Xheladin Murati, për gazetën KOHA, ka deklaruar se rënia e numrit të nxënësve në shkollat tona është dukuri e 10 viteve të fundit. “Kjo për dy arsye themelore: së pari, transferi i familjeve në shtetet evropiane për punë të përkohshme dhe bashkë me to edhe familjet e tyre. Fëmijët vazhdojnë shkollimin atje dhe me siguri do të mbeten atje sepse këtu as kushte jetese nuk do të ketë. Së dyti, nataliteti është rrënjësisht i ulur dhe kjo sjellë në situatë të uljes së numrit të nxënësve”, shprehet ai. Sipas tij, për të rikthyer gjendjen e më parme shteti duhet të stimuloj disa masa për rritjen e natalitetit dhe krijimin e kushteve që familja me dinjitet të merret me rritjen e fëmijëve dhe familjet e transferuara në shtetet perëndimore t’ju krijoj kushte që të mund të rikthehen në vendlindje. “Trendi i zvogëlimit të nxënësve do të vazhdon dhe Maqedonia e Veriut, do të mbetet oazë e pleqve, pa ardhmëri”, ka nënvizuar Murati.

Sipas statistikave të fundit, në shkollat e mesme të rregullta, të ndara sipas gjuhës në të cilën është zhvilluar procesi mësimor, në gjuhën maqedonase mësimi ka pasur në 108 shkolla me gjithsej 46.729 nxënës, ndërsa në gjuhën shqipe – mësimi është zhvilluar në 40 shkolla të mesme të rregullta me 19.046 nxënës. Në ndërkohë, në gjuhën turke është mësuar në 12 shkolla me 1180 nxënës dhe në gjuhën angleze – mësimi është zhvilluar në tetë shkolla me 1317 nxënës. Ndërkohë, të dhënat po nga i njëjti institucion, thonë se gjatë vitit 2019, numri i të vdekurve ishte 20.446 dhe i lindjeve ishte 19.845. Pra 601 vdekje më shumë se sa numri i lindjeve. Maqedonia e Veriut, tash e disa vite ka nisur të ecë drejt kufirit të “recesionit demografik”. Ndryshe, ndërrimi i strukturës së popullsisë pritet të ketë efekte të rënda në një të ardhme të shpejtë, si në strukturën e forcës së punës, kërkesë-ofertën për punë dhe në skemën e pensioneve dhe kostos për kujdesin e të moshuarve. Rigjallërimi i ciklit të emigrimit është një tjetër faktor i rëndësishëm.

NUMRI I NXËNËSEVE TË REGJISTRUAR NË SHKOLLËN FILLORE:

Viti shkollor 2000/2001: 249.375 nxënës

Viti shkollor 2020/2021: 187.555 nxënës

NUMRI I NXËNËSEVE TË REGJISTRUAR NË SHKOLLËN E MESME:

Viti shkollor 2000/2001: 93.161 nxënës

Viti shkollor 2020/2021: 71.811 nxënës./Koha.mk