Disa kompani të mëdha ajrore do t’iu kërkojnë pasagjerëve të vendosin maska në fytyrë gjatë fluturimeve, për të frenuar përhapjen e koronavirusit.

Rreth 90% e fluturimeve ndërkombëtare janë anuluar, por linjat ajrore shpresojnë t’i rifillojnë gradualisht udhëtimet nga ky muaj.

Nga e hëna, kompania amerikane Delta tha se u kërkon pasagjerëve të vendosin maska ose mbulesa të tjera të fytyrës në zonën e kontrollit (check-in), të pritjes dhe gjatë gjithë fluturimit.

Ngjashëm, edhe kompanitë American Airlines dhe United thanë se do të fillojnë të kërkojnë maska për pasagjerët dhe për ekuipazhin e kabinës.

“Po bëjmë përpjekje për t’iu siguruar mirëqenie klientëve, në mënyrë që ata të udhëtojnë të qetë”, tha Kurt Stache, zëdhënës i kompanisë American Airlines.

“Mbulimi i fytyrës do të jetë i detyrueshëm për të gjithë pasagjerët dhe ne do të ofrojmë maska falas për udhëtarët”, tha Maddie King, zëdhënëse e United.

Si masë tjetër kundër koronavirusit, pasagjerët po ashtu do të inkurajohen të paketojnë vetë ushqimet dhe pijet e tyre gjatë udhëtimit.

Nuk është ende e qartë nëse këto do të jenë masa të përkohshme ose më afatgjata.

Koronavirusi ka prekur mbi 3.5 milionë njerëz në gjithë botën dhe ka lënë të vrarë mbi 248,000.

By I ZH