Një pjesë dërmuese e kompanive private kanë përfituar padrejtësisht nga Pakoja Emergjente Fiskale, përkatësisht për pagën 170 euro të punëtorëve.

Kështu ka thënë sot kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, i cili shtoi se ka pasur keqpërdorime për shpërndarjen e mjeteve financiare.

“Shkas i kësaj konference është skandali me pagat e punëtorëve të sektorit privat. Është një keqpërdorim total. Me kujdes jemi duke ndjekë këtë veprim, dhe kërkojnë të ndalet. Shumë kompani që kryejnë shërbime nëpër institucione, dhe kanë përfituar mjete financiare edhe nga pako me paga 170 euro. Është një skandal me qëllim a pa qëllim, koha do ta dëshmojë. Pra, me miliona euro do të shkojnë tek pronarët, por jo edhe te punëtorët. Edhe Ministria e Financave dhe Transfereve ka marrë për obligim ta shqyrtojë këtë çështje, pas një takimi që kemi pasur me zëvendësministrinë e Financave dhe Transfereve. Për këtë veprim, dikush duhet të shkojë në burg”, thotë Azemi.

Ai ka shtuar se nëse vazhdon kjo dhënie e mjeteve pa kritere, e dyfishtë nga shteti, ndoshta edhe nuk do të ketë mjete për muajin e dytë për pagën 170 euro për punëtorët që e meritojnë këtë pagë.

By I ZH