Pabarazia në shpërndarjen e vaksinës kundër koronavirusit mbetet shokuese, denoncon kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë Tedros Adhanom Ghebreyesus. Ai u bëri thirrje vendeve të mbështesin programin e Covax të drejtuar nga OBSH, që synon të mundësojë qasje të barabartë ndaj vaksinave. Në një konferencë për shtyp në Gjeneve të Zvicrës, shefi i OBSH vlerësoi se organizata kishte kërkuar që brenda 100 ditëve të para të vitit të gjitha shtetet të nisnin fushatën e imunizimit. Por ndërsa 100 ditë bëhen të shtunën, vaksinimi nuk ka nisur ende në 26 vende. Marrëveshjet dypalëshe për sigurimin e dozave, sipas Gebrejesus, rrezikojnë të ushqejnë edhe më tej flakët e pabarazisë.

“Mbetet një pabarazi tronditëse në shpërndarjen globale të vaksinave. Më shumë se 700 milionë doza janë injektuar globalisht, por 87 përqind e tyre kanë shkuar për vende me të ardhura të larta apo të mesme, ndërsa shtetet e varfëra kanë siguruar vetëm 0.2 përqind. Mesatarisht në vendet e pasura gati 1 në 4 persona ka siguruar vaksinën. Në vendet me të ardhura të ulëta raporti është 1 në 500”.

Vaksinat e aplikuara në Afrikë përbëjnë vetëm 2 përqind të totalit global. Edhe pse po shënohet progres, ekspertët e OBSH paralajmërojnë se shumë shtete sapo kanë kaluar përtej vijës së startit. Qasja e kufizuar ndaj vaksinave në shumë vende mund të minojë seriozisht përpjekjet për frenimin e pandemisë, ndërsa shtohet rreziku për shfaqjen e varianteve të reja më të rrezikshme të virusit.