Lajme Rajoni

“Nuk duam ndihmë financiare, hap plazhet dhe lejo lëvizjen e lirë pas orës 17:30”! Operatorët turistikë, letër Ramës

Operatorët turistikë shqiptarë kërkojnë heqjen e barrierave që pengojnë lëvizjen e lirë të njerëzve, hapjen e plazheve dhe hapjen e kufirit tokësor për turizmin rajonal, në mënyrë që kjo industri të ketë mundësi që të ripërtërijë vetveten nga kriza e pandemisë.

Përmes një letre publike dërguar kryeministrit Edi Rama, Unioni Turistik Shqiptar shprehet se nuk kërkon financim nga qeveria, por të veprohet duke ndjekur edhe shembullin e shteteve fqinje, si Greqia e cila i ka hapur plazhet që nga data 4 maj, apo Mali i Zi i cili ka vendosur hapjen e plazheve nga data 18 maj.

Në letër thuhet se nëse nuk hiqen kufizimet e lëvizjes dhe nëse nuk hapen kufijtë deri në 18 maj, sektori i turizmit do ndeshet me pasoja shumë të rënda dhe falimentime të mëdha.

Gjtihashtu theksohet se hapja e restoranteve dhe kushtëzimi vetëm në ambientet e jashtme bashkë me kufizimin e lëvizjes deri në orën 17:30 do jetë pengesë.

“Ne nuk duam të krijojmë panik, por aktualisht të gjitha subjektet që ushtrojnë veprimtari turistike kanë një rënie nga 90-100% të të ardhurave mujore dhe në qoftë se nuk do të merren masa të shpejta, pritet që së shpejti rreth 70% e të punësuarve në këtë sektor do të humbasin përfundimisht vendet e punës dhe pandemia shëndetesore do të shndërrohet në pandemi ekonomike dhe sociale”.

Në një komunikim me përfaqesuesin e shoqatës së bareve dhe restoranteve, iconstyle.al mësoi dje se kriza ekonomike do të shkaktojë një dëm të madh në këtë sektor, me 30-50% të këtyre bizneseve në Tiranë që mund të mbyllin dyert pasi nuk do të mbulojnë dot shpenzimet.

LETRA E PLOTË

Lënda: Letër e hapur e operatorëve turistikë, drejtuar Kryeministrit të vendit, Shkëlqesisë së tij,

Zotit Edi Rama

I nderuar Zoti Kryeministër!

Ne si përfaqësues të sipërmarrjes private, nën grupimin e Unionit Turistik Shqiptar, vlerësojmë mbështetjen e qeverisë për nismat konkrete dhe incentivat ndihmues financiare për industrinë turistike, e cila tashmë është bërë një industri e konsoliduar dhe vitet e fundit është shndërruar në një nga degët më me peshë në të ardhurat kombëtare.

Marrë në konsideratë këtë potencial tejet të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare për të cilin ju dhe qeveria juaj keni treguar vazhdimisht vëmendje, gjejmë me vend të sugjerojmë sikundër edhe më parë, propozime konkrete për të ndihmuar ekonomikisht këtë sektor, për frenimin e dëmtimit të mëtejshëm, i cili pësoi dy goditje të njëpasnjëshme, tërmetin e 26 nëntorit dhe më pas pandeminë Covid-19.

Shumë biznese të vogla të këtij sektori kanë përfituar nga paketat e ndihmës ekonomike numër 1 dhe numër 2, megjithëse ne i qëndrojmë kërkesës sonë për një paketë të dedikuar për këtë sektor, por kjo kërkesë e jona shpresojmë që të diskutohet pas normalizimit të situatës.

Zoti Kryeministër!

Përmes kësaj letre publike, sot nuk po ju drejtohem për ndihmë financiare, por për t’i paraprirë hapjes së sezonit turistik, duke përfshirë si fillim turizmin e brendshëm, duke i hequr barrierat që pengojnë ushtrimin e aktivitetit, siç janë kufizimi i lirisë së lëvizjes dhe mos lejimi i hapjes së plazheve dhe më pas hapjen e kufirit tokësor për turizmin rajonal dhe deri në fund të muajt maj të hapet edhe turizmi i organizuar, në mënyrë që kjo industri të ketë mundësi që të ripërtërijë vetveten, duke filluar që këtë vit dhe njëkohësisht të ndihmojë edhe ekonominë e vendit në këtë situate tejet të vështirë.

Ne nuk duam të tregojmë padurimin tonë, por duam të ecim në një hap me fqinjët tanë të cilët janë më përpara në planet e tyre, Greqia i ka të hapura plazhet që nga data 4 maj, po kështu fqinji tjetër Mali i Zi ka vendosur hapjen e plazheve nga data 18 maj, këto vende dhe mjaft të tjera kanë liberalizuar lëvizjen e qytetarëve duke mos i kufizuar ato me fasha orari.

Duam T’ju sqarojmë se ne, si sipërmarrës, ndajmë të njëjtat shqetësime e përgjegjësi si çdo qytetar i angazhuar i këtij vendi, për situatën që po kalojmë si pasojë e pandemisë së Covid-19 dhe jemi të vetëdijshëm për seriozitetin e gjendjes duke mbështetur masat parandaluese që ka marrë qeveria, por njëkohësisht masat shtrënguese kanë prodhuar dhe një situatë shumë më të rëndë për biznesin.

Referuar situatës aktuale, e cila sipas specialistëve konsiderohet më e stabilizuar dhe rënies se virulencës së virusit, ne mendojmë se ka ardhur koha që të hiqet fasha orari i vendosur për lëvizjen e qytetarëve dhe të rakordohet me vendet kufitare në mënyrë që të hartohet një plan i përbashkët për sa i përket hapjes për qëllime turizmi.

Konstatojmë se në qoftë se nuk hiqen kufizimet e lëvizjes për qytetarët në mënyrë që të shfrytëzohet turisti vendas dhe së paku nga 18 maji nuk hapen kufijtë me vendet kufitare ky sektor do ndeshet me pasoja shumë të rënda dhe një numër i madh i këtyre subjekteve pritet të falimentojnë.

Aktualisht të gjithë operatorët turistikë, agjencitë e udhëtimit, transportuesit turistikë, guidat turistike, ushtrojnë zero biznes dhe vetëm 70% e hoteleve janë të hapur, por edhe këto nuk janë eficente për shkak të masave shtrënguese të lirisë së lëvizjes.

Ne përshëndesim planin e qeverisë për hapjen e bareve dhe restoranteve në ambientet e jashtme duke filluar nga data 18 maj, por kushtëzimi vetëm në ambientet e jashtme dhe kufizimi i lëvizjes deri në orën 17:30 do jetë pengesë për vënien e plotë në eficencë të tyre, pasi gjatë ditës njerëzit janë në punë dhe darkat ngelen më të frekuentuara nga qytetarët.

Ne nuk duam të krijojmë panik, por aktualisht të gjitha subjektet që ushtrojnë veprimtari turistike kane një rënie nga 90-100% të të ardhurave mujore dhe në qoftë se nuk do të merren masa të shpejta, pritet që së shpejti rreth 70% e të punësuarve në këtë sektor do të humbasin përfundimisht vendet e punës dhe pandemia shëndetesore do të shndërrohet në pandemi ekonomike dhe sociale.

Gjithashtu duam t’Ju informojmë se partnerët tanë ndërkombëtarë që operojnë me fluturime charter në Shqipëri, të cilat kanë parapaguar hotelet sipas kontratave të garancisë, janë të gatshëm që të ulin charterat e tyre në aeroportin e Rinasit duke filluar që nga data 1 qershor.

Theksojmë se për sa u përket sipërmarrjeve turistike janë marrë të gjitha masat për krijimin e infrastrukturës për pritjen e turistëve, bazuar te protokollet strikte të hartuara nga MTM dhe MSHMS dhe jemi të gatshëm që të plotësojë të gjitha kriteret e përcaktuar me përgjegjshmëri, vetëm e vetëm që të mbajmë destinacionin, qoftë edhe pa fitim, pasi në të kundërt do jetë shumë e vështirë për ta futur përsëri ne axhendën e Tour Operatorëve të njohur ndërkombëtarë, për shkak edhe të imazhit të brishtë që ne akoma kemi.

Për këtë arsye kërkojmë që Ju të motivoni këtë bashkëpunim dhe në rakordim edhe me qeveritë e vendeve që operojnë me fluturime charter në Shqipëri, si Polonia, Vendet Nordike,Gjermani, Rep.Ceke, Ukraina, vendet Baltike etj, të gjendet një formulë për arritjen e një marrëveshje bilaterale për hapjen e një korridori për avionët charter, në mënyrë që të shpëtojmë Shqipërinë si destinacion turistik dhe jo vetëm për këtë vit, por edhe për vitet në vazhdim.

Me qëllimin e mirë për të shpëtuar një ndër sektorët që jep 26% të PBB po ju drejtohemi Juve si Kryeministër i vendit, që të merrni në konsiderate propozimet tona duke ju siguruar që nuk janë propozime luksi dhe nuk kemi si qëllim primar përfitimin, por vetëm të mbajmë në këmbë këtë industri të rëndësishme, nga e cila buxheti i shtetit përfiton një sasi të konsiderueshme taksash. Ne jemi të hapur dhe në pritje për të diskutuar dhe propozuar alternativa që do na çojnë drejt zgjidhjes më të mirë.