“Bosnja e Hercegovina nuk do ta njohë Kosovën sepse për këtë nuk pajtohet Republika Serbe. Mund të bashkëpunojmë vetëm ekonomikisht”. Kështu u shpreh anëtari serb i presidencës boshnjake, Milorad Dodik, pas një takimi që pati me një delegacion suedez, i udhëhequr nga ministrja për Punë e Jashtme.

“Edhe ministres edhe kolegëve të saj, i thash se Republika Serbe nuk dëshiron, dhe nuk do ta japë miratimin që Bosnja e Hercegovina ta njohë Kosovën, por se ekziston mundësia që raportet, mbi të gjitha ato ekonomike, të relaksohen përmes ‘Mini-Schengenit’, dhe më vjen mirë që edhe dy anëtarët tjerë, pak me rezerva, e kanë pranuar propozimin tim që BeH-ja të bëhet anëtare e ‘Mini-Schengenit’”, tha Dodiku, duke shtuar se vendimin për njohjen e Kosovës nuk e kanë marrë as pesë nga shtetet anëtare të BE-së, raporton Zeri.info

Madje, ai tha se përpos që Bosnja nuk do ta njohë Kosovë, vendi nuk do të bëhet as anëtar i NATO-s.

“BeH-ja nuk ka pajtueshmëri për NATO-n dhe se rreth kësaj, kohë pas kohe, zhvillohen diskutime të nxehta, ndërsa të gjithë e dimë se edhe vetë Suedia nuk është anëtare e NATO-s, dhe vetë ministrja e pranoi se nuk janë anëtar e as që planifikojnë të bëhen”, deklaroi anëtari serb i presidencës boshnjake.

Ai tha se Bosnja mund të ketë bashkëpunim me NATO-n përmes ndonjë marrëveshjeje, mirëpo anëtar nuk do të bëhet.