Më së voni 20 ditë nga mbajtja e zgjedhjeve duhet të mbahet seancë konstituive e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ndërsa seancën e konvokon kryetari i përbërjes së mëparshme, në këtë rast Talat Xhaferi.

Kuvendin do ta përbëjnë 120 deputetë, të cilët i përfaqësojnë qytetarët dhe vendosin sipas bindjes së tyre.

Sipas Kushtetutës, deputetët në Kuvend zgjedhen për katër vjet. Mandatin e deputetëve e verifikon Kuvendi dhe fillon që nga seanca konstituive e Kuvendit. Kuvendi i porsazgjedhur takohet në seancë konstituive më së voni 20 ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve. Seancën konstituive e konvokon kryetari i Kuvendit nga përbërja e mëparshme.

Në nenin 63 të Kushtetutës është paraparë, nëse nuk caktohet seancë konstituive në afatin e paraparë, deputetët vetë mblidhen dhe e konstituojnë Kuvendin në ditën e 21-të të përfundimit të zgjedhjeve.

Në Kushtetutë është paraparë që presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut në afat prej dhjetë ditëve nga konstituimi i Kuvendit mandatin për përbërjen e Qeverisë t’ia besojë kandidatit të partisë, gjegjësisht partitë që kanë shumicën në Parlament.
Mandatari në afat prej 20 ditëve pasi i jepet mandati, Kuvendit i dorëzon program dhe e propozon përbërjen e Qeverisë.

Qeverinë, me propozim të mandatarit dhe në bazë të programit, e zgjedh Kuvendi me shumicën e votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve.

By B I