Në Shqipëri janë shënuar 9 raste të reja me sëmundjen COVID-19, ndërsa shkoi në 409 numri i të prekurve. Po ashtu, është njoftuar për 11 të shëruar gjatë 24 orëve të fundit, e gjithsej të shëruar janë 165 pacientë.

Dr. Rovena Daja nga Instituti i Shëndetit Publik tha se po vazhdon puna në terren për identifikimin e rasteve të reja dhe gjurmimin e kontakteve të rasteve, të konfirmuara pozitive dhe se në 24 orët e fundit janë testuar 234 persona të dyshuar.

Ajo gjithashtu deklaroi se 53% e personave pozitivë me COVID-19 në Shqipëri janë meshkuj.

“Në 24 orët e fundit janë testuar 234 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 9 raste të reja me COVID-19. Deri në këto momente janë testuar 3223 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 409 raste. 53% e personave pozitivë me COVID-19 janë meshkuj në Shqipëri. Betejën me këtë sëmundje e kanë humbur deri tani 22 qytetarë, megjithë përpjekjet e jashtëzakonshme të personelit shëndetësor. Gjatë 24 orëve të fundit, 11 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 165”, tha Daja.
Aktualisht, në shërbimin infektiv janë 52 të shtruar. Pesë prej tyre janë në terapi intensive. Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 6 pacientë të shtruar gjithsej. Pesë pacientë janë në terapi intensive, 4 prej të cilëve janë të intubuar. Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 58 pacientë.
Harta e të prekurve nga COVID-19 për 24 orët e fundit është zgjeruar në Tiranë me 6 raste dhe Elbasan me 3 raste.

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive:

– Tiranë 196 raste
– Durrës 38 raste
– Lushnje 5 raste
– Elbasan 15 raste
– Fier 32 raste
– Kavajë 8 raste
– Rrogozhinë 4 raste
– Korçë 17 raste
– Vlorë 5 raste
– Shkodër 45 raste
– Lezhë 14 raste
– Berat 2 rast
– Has 12 raste
– Krujë 5 raste
-Tropojë 4 raste
– Pukë 4 raste
– Mirditë 3 raste

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale iu kërkoi qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social.
Daja u shpreh se është e rëndësishme që masat e kontrollit të infeksionit të respektohen edhe brenda rretheve familjare, duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye për të parandaluar transmetimin e COVID-19.

By I ZH

Leave a Reply