Një kameraman dhe një nxënës janë sulmuar sot në Mitrovicë të Veriut. Kameramani është sulmuar nga bandat serbe në veri derisa ishte duke xhiruar rastin e një rrahje të një nxënësi shqiptar te Kodra e Minatorëve.

Policia e Kosovës njofton se sipas informacioneve të siguruara nga terreni, sot në orët e paradites, një grup të rinjsh nga komuniteti shqiptar, (nëntë) 9 nxënës të shkollës së mesme, kanë shkuar për të shëtitur te lokacioni Kodra e Minatorëve që gjendet në zonën e përgjegjësisë së Mitrovicës Veri.

Policia thotë se këta të rinj pas përfundimit, me t’u kthyer në drejtim të urës kryesore, në afërsi të një udhëkryqi, dyshohet se nga një automjet i tipit Renault (ngjyrë e kaltër), i cili dyshohej se i ka përcjellë/vëzhguar, kanë dalë disa persona të dyshuar, të cilët kanë arritur ta ndalojnë dhe ta rrahin/sulmojnë njërin nga nxënësit, përderisa të tjerët kanë arritur të largohen nga ai lokacion, në drejtim të urës kryesore.

“Më pas në atë lokacion ku ka ndodhur rasti i sulmit ndaj nxënësit, përderisa ka shkuar dhe ka qenë në kryerje të detyrës një punonjës (kameraman) mashkull/kosovar i portalit “Insajderi” nga Kosova, i cili ishte duke e xhiruar autoambulancën që po e trajtonte rastin e fëmijës së sulmuar, dyshohet se i njëjti është penguar në kryerje të detyrës si dhe është goditur/sulmuar fizikisht nga personat e dyshuar të cilët dyshohet se mund të kenë qenë personat e njëjtë”.

“Punonjësit (kameramanit) personat e dyshuar të cilët, sipas viktimës, kishin folur në gjuhën serbe, përveç sulmit/goditjeve të ushtruara ndaj tij, kishin tentuar t’ia marrin me forcë telefonin (celularin), pasi ka incizuar dhe ka pasur dëshmi të rastit. Më pas viktima (kameramani) ka marrë tretman mjekësor në emergjencën rajonale të Mitrovicës Jugu”.

“Kameramani dhe nxënësit e tjerë në prezencë të zyrtarëve të QPS-së janë intervistuar në stacionin policor, përderisa lidhur me rastin janë njoftuar edhe kompetentët e shkollës të cilës i përkasin nxënësit. Policia e Kosovës me njësitet e saja relevante, në bashkëpunim me organet e drejtësisë në rastin “Sulm&lëndim trupor” që ndërlidhen njëra me tjetrën, është duke kryer hetime, me qëllim të ndriçimit dhe arrestimit të personave të dyshuar”, njofton tutje policia.

Policia e Kosovës iu ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve pa dallime, që të përmbahen nga çfarëdo lloj provokimi apo incidenti i mundshëm, që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës në interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike.

Po ashtu, Policia e Kosovës, kërkon nga qytetarët që kushdo që posedon informacione për personat e dyshuar të njoftojë Policinë në numrat kontaktues pa pagesë (192, 0800 19999, 038 550 999), si dhe përmes platformës digjitale “Lajmëro Policinë”.

Të gjitha informatat do të trajtohen në anonimitet të plotë.

Ndryshe, drejtoresha e Spitalit të Mitrovicës “Dr.Sami Haxhibeqiri”, Luljeta Zhubi në një prononcim për Telegrafin ka thënë se kameramani në fjalë pas trajtimit mjekësorë është liruar për në shtëpi, ndërsa nxënësi është ende duke u trajtuar në këtë spital.

Sipas saj, gjendja e të riut i cili ende po trajtohet në këtë spital është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.

Për ngjarjen në fjalë ka reaguar edhe KMDLNj duke fajësuar strukturat e EULEX-it për mosndërhyrje.

“Tërë këtë skenë e kanë përcjellë karabinierët që erdhën si përforcim, bashkë me policët e EULEX- it pasi policët serbë të Policisë së Kosovës e braktisën këtë shërbim nën trysni dhe urdhër të Listës Serbe dhe Aleksandar Vuçiq, president i Serbisë”, thuhet në reagimin e KMDLNJ./Telegrafi/