Vendi

Ministria e Arsimit ndau mirënjohje për punonjësit e vitit në arsim, asnjë shqiptar

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës në Maqedoninë e Veriut, Mila Carovska ka ndarë mirënjohje për punonjësit e arsimit të vitit për vitin shkollor 2019/2020.

Mirënjohjet i’u ndanë profesoreshës Shtefica Ujçiq nga Kumanova, Dobri Jovevski nga Kriva Pallanka, Marjan Radeski nga Ohri dhe pedagogia Marinela Bosheva nga Shkupi, përcjell INA.

Në mesin e të përzgjedhurve nuk ka asnjë punonjës të arsimit shqiptar apo edhe të ndonjë komuniteti tjetër. Por përgjegjësia për përzgjedhjen hidhet tek Lidhja e punëtorëve të Arsimit.

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës Milla Carovska uroi që punëtorët e arsimit të mbeten edhe më tej të motivuar për punë dhe kreative.

“Ju uroj që të jeni frymëzim për shumë gjenerata të rinjsh dhe shembull për kolegët. Unë personalisht jam e bindur që kemi shumë mësimdhënës të tillë në vend. Kam takuar shumë prej tyre personalisht dhe pashë tek ata dëshirë për të kontribuar në ndërtimin e një sistemi arsimor cilësor dhe në krijimin e gjeneratave që do të garantojnë një të ardhme të mirë për vendin tonë,” tha Carovska në ndarjen e mirënjohjeve .

Lidija Nikollovska-Georgievska, Kryetare e Lidhjes të punëtorëve të arsimit theksoi se ky çmim ndahet në mënyrë tradicionale çdo vit, ndërsa e fitojnë mësimdhënës edhe punëtorë tjerë të arsimit të cilët kanë kontribut të rëndësishëm në arsimin dhe edukimin e fëmijëve.

“Përzgjedhjen e fituesve e bën Lidhja. “Faktikisht, vetë punëtorët e arsimit vendosin se kujt do t`ia ndajnë mirënjohjen,” tha Nikolovska-Georgievska.