Kryetari i bashkisë së Mineapolisit Jacob Frey shpalli të enjten gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të protestave të dhunshme që kanë përfshirë qytetin dhe që u shtrinë edhe gjatë ditës së premte. Një stacion policie dhe ndërtesa të tjera u dogjën në qytetin e mbushur me tension, pas vdekjes së një afrikano-amerikani nën arrest. Personi ishte nën pranga dhe një polic i bardhë i kishte vënë gjurin në qafë, ndërsa ai thërriste se nuk po mbushej dot me frymë.

Guvernatori i Minesotës Tim Walz thirri Gardën Kombëtare në një përpjekje për të ndalur përhapjen e mëtejshme të dhunës. Garda Kombëtare njoftoi të enjten vonë se janë aktivizuar pesëqind ushtarë të cilët do të vendosen në qytetet Saint Paul, Mineapolisit e në disa zona përreth.

Një reporter i gazetës “Minneapolis Star Tribune” postoi në twitter se automjete të blinduara po lëviznin drejt qendrës së qytetit përpara agimit të ditës së premten. Kryetari i Bashkisë së Mineapolisit Jacob Frey tha të premten herët në mëngjes se në qytet ka “shumë dhimbje e zemërim”, por ai shtoi se plaçkitjet dhe djegiet janë akte të papranueshme. Pronat e dëmtuara ishin thelbësore për komunitetin, shtoi ai.

Të enjten vonë në mbrëmje, qindra demonstrues marshuan fillimisht paqësisht, më pas një rajon policie në Mineapolis u përfshi nga flakët. Gazetarët në vendngjarje thanë se policia ishte larguar tërësisht nga zona dhe se ata nuk ishin të sigurt se ku ndodheshin punonjësit e policisë.

Postimet në Twitter tregonin se stacioni policor ishte braktisur dhe se nuk kishte zjarrfikës. Ndërkohë zyrtarët e qytetit bënë të ditur se sipas informacionesh të pakonfirmuara linjat e furnizimit me gaz ishin prerë dhe se ndërtesa e bashkisë mund të shpërthente. Disa dyqane në Mineapolis si dhe ne qytetin e Saint Paul u dogjën të enjten në mbrëmje. Policia e Saint Paul njoftoi se punonjës të saj ishin goditur me gurë dhe shishe.

Të premten herët në mëngjes policia e këtij qyteti shkruante në një postim twitter se më shumë se 170 biznese ishin dëmtuar apo plaçkitur dhe qyteti ishte përfshirë nga disa vatra zjarri, por nuk kishte të plagosur në gjendje serioze. Protestestat u nxitën nga vdekja e George Floyd nje afrikano-amerikan, ndërsa ishte ndaluar nga një polic i bardhë. Sipas rrjetit televiziv CNN ndaj oficerit të policisë ishin bërë 18 ankesa më parë pranë shërbimit të brendshëm të Departamentit të Policisë së Mineapolisit.

Policia e Minneapolis thotë se Floyd i ngjante një të dyshuari që ishte përpjekur të përdorte një kartmonedhë të falsifikuar 20 dollarëshe në një dyqan ushqimesh. Policia thotë se ai i kishte rezistuar arrestimit. Kalimtarët filmuan me celular momentin kur oficerët ndaluan Floydin. Videoja u përhap gjerësisht kur u postua në internet.

“Të lutem, të lutem, të lutem, nuk mund të marr frymë. Të lutem, o burrë”, u përgjërua Floyd, ndërsa mbahej nga një polic i bardhë. Sipas videove të celularit, oficeri e mbajti Floydin në tokë dhe i vendosi gjurin në qafë. Floyd ishte ndërkohë me pranga.

Oficeri që e prangosi Floydin e nxiste të “qetësohej”, por oficeri e mbajti gjurin në qafën e Floydit edhe pasi Floyd pushoi së lëvizuri. Një dëshmitar tha se ai dëgjoi Floydin duke thirrur për nënën e tij para se të vdiste.

Për shkak të thirrjes së tij “Nuk marr dot frymë”, vdekja e tij u krahasua shpejt me atë të Eric Garnerit, një afrikano-amerikan i paarmatosur në New York i cili vdiq në 2014 pasi një oficer i bardhë e shtrëngoi rreth qafës me krah, ndërsa ai lutej për jetën e tij. Garner gjithashtu u tha oficerëve “Nuk marr dot frymë”, dhe klithma e tij u bë simbol kombëtar kundër brutalitetit të policisë.

Tubime po mbaheshin edhe në qytete të tjera të enjten. Agjensia e lajmeve Associated Press (AP) raportoi se qindra demonstrues qëndruan në rrugët në qendër të qytetit dhe brohorisnin ndërsa errësira binte jashtë Kapitolit të Shtetit të Kolorados në Denver, ku protestuesit spërkatën me bojë dhe thyen xhama makinash.

AP raportoi se videoklipi i xhiruar nga protestuesja Anabel Escobar, 29 vjeçare, tregon një burrë mbi kofanon e një fuoristrade që po çante përmes turmës përpara Kapitolit. Videoja tregonte se shoferi po rriste shpejtësinë dhe më pas dukej se po përpiqej të shtypte personin pasi ra nga makina. Automjeti u largua ndërsa protestuesit e tjerë e ndoqën atë. Është e paqartë nëse njeriu mbi makinë ishte plagosur.Në pjesë të tjera të qendrës së qytetit Denver, policia hodhi gaz lotsjellës dhe përdori plumba gome për të larguar njerëzit që po bllokonin rrugët, tha agjensia e lajmeve AP. Gazeta Washington Post raportoi se pati të shtëna me armë.

Departamenti i Policisë në Minneapolis shkarkoi të katër oficerët e përfshirë në arrestimin e Floydit. FBI-ja i është bashkuar hetimeve të policisë së Minneapolisit dhe zyrës së prokurorit të kontesë Hennepin. Departamenti i Drejtësisë tha se hetimi është një përparësi kryesore.

Presidenti Donald Trump shkruajti në Twitter se ka kërkuar që hetimi të “shpejtohet. … Zemra ime shkon familja dhe miqtë e Xhorxhit. Drejtësia do të bëhet!”.

Ai më vonë kritikoi udhëheqësit e qytetit si “të dobët”, tha se ishte i gatshëm të “dërgoj Gardën Kombëtare dhe ta kryejë punën si duhet” dhe paralajmëroi se në rast se do të ketë ndonjë vështirësi, “ne do të marrim kontrollin, por kur fillon plaçkitja, të shtënat fillojnë…”. Twitter më vonë e shënoi mesazhin, duke thënë se “shkelte Rregullat e Twitter-it në lidhje me lavdërimin e dhunës”.\VOA

By I ZH