Bota Shëndetësi

Meksikë, testohet një vaksinë antiCOVID-19 e zhvilluar nga Sanofi

Meksika do të marrë pjesë në fazën finale të testimeve për një vaksinë kundër COVID-19, që laboratori francez Sanofi po zhvillon, njoftoi sot ministri meksikan i Punëve të Jashtme, Marcelo Ebrard.

“Ky është protokolli i parë i fazës së tretë që do të realizohet në Meksikë, pa asnjë kosto për vendin tonë”, theksoi Ebrard për gazetarët pasi mori pjesë në një ngjarje publike.

Faza e tretë e zhvillimit të një vaksine është kur efikasiteti i saj matet në shkallë të gjerë pas një etape të parë ku vlerësohet siguria e saj dhe një etape të dytë ku eksplorohet efekasiteti në grupe më të vogla.

Ministri theksoi se meksikanët bëjnë pjesë në një grup prej 35 000 vullnetarësh nga mbarë bota që do të testojnë vaksinën.

Ebrard nuk specifikoi se cilën nga vaksinat e ndryshme të zhvilluara nga Sanofi, një nga grupet kryesore farmaceutike në botë, do të testohen në Meksikë.

Laboratori është duke punuar në një projekt me homologun e tij britanik GSK.

Provat klinike janë parashikuar për në shtator dhe mund të jenë të disponueshme gjysmën e parë të vitit 2021.

Sanofi po punon gjithashtu me shoqërinë bioteknologjike amerikane “Translate Bio” për një vaksinë tjetër, provat klinike të së cilës do të fillojnë në fund të vitit dhe prodhimi i të cilës mund të miratohet në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2021 në rast të rezultateve pozitive.