Demokrati, Raphael Warnock fitoi një balotazh të ashpër ndaj senatores amerikane, republikanes Kelly Loeffler, në shtetin e Xhorxhias, kanë raportuar mediat amerikane të mërkurën, por cila parti do të kontrollojë Senatin mbetet ende e paqartë pasi rezultatet e një balotazhi të dytë ende nuk dihen.

Rezultatet e dy zgjedhjeve të balotazhit në shtetin e Xhorxhias në SHBA për ulëse në Senat do të përcaktojnë ekuilibrin e fuqisë në Uashington.

Në balotazhin tjetër kanë garuar demokrati, Jon Ossoff dhe senatori republikan, David Perdue.

Zyrtarët kanë paralajmëruar se rezultatet mund të mos dihen për disa ditë, pasi qarqet duhet të numërojnë një numër të madh fletëvotimesh përmes postës.

Balotazhet në Xhorxhia janë shumë të rëndësishme për kontrollin e Senatit amerikan.

Nëse demokratët fitojnë të dyja ulëset, Senati do të ndahet 50-50, dhe nënpresidentja e zgjedhur Kamala Harris, që gëzon të drejtën e votës mund t’i sigurojë demokratëve kontrollin e Senatit. Demokratët tashmë kanë një shumicë të ngushtë në Dhomën e Përfaqësuesve.

Sigurimi i një shumice në Senat do të rrisë shanset që presidenti i zgjedhur, Joe Biden të jetë në gjendje të shtyjë përpara agjendën e tij legjislative. Republikanët duhet të fitojnë vetëm një nga garat për të mbajtur pushtetin.

Këto zgjedhje në Xhorxhia kanë nxjerrë në pah ndasitë e ashpra politike dhe kanë mobilizuar të dyja palët, si në asnjë garë tjetër për ulëse në Senatit në vitet e fundit.

Presidenti i zgjedhur, Joe Biden dhe ai aktual, Donald Trump, bënë fushatë në këtë shtet më 4 janar, duke shpresuar që të mblidhnin votuesit në qendrat e votimit nëse ata nuk kishin hedhur votat e tyre me postë ose në votime të hershme.

Biden ka thënë se banorët e Xhorxhias mund ta modelojnë SHBA-në për vitet që do të vijnë.

Trump, në anën tjetër, u ka thënë votuesve të tij se është “shansi i fundit për ta shpëtuar Amerikën” që duan.

Republikanët Kelly Loeffler dhe David Perdue aktualisht mbajnë dy vendet e Xhorxhias në Senat.

Republikanët aktualisht kanë 52 nga 100 vendet e Senatit.

By I ZH