Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama brenda më pak se dy muajve ka takuar në Tiranë liderët e tri partive opozitare parlamentare të Kosovën. Për këto takime, njohës të zhvillimeve politike, thonë se mund të kenë në prapavijë një parapërgatitje për ndryshime në ekzekutivin në Kosovë. Por, mendim tjetër kanë njohës të zhvillimeve politike në Shqipëri.

I pari e nisi Memli Krasniqi. Pas kryetarit të partisë më të madhe opozitare, PDK-së, për vizitë kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, me ftesë të tij i shkoi edhe kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Turin e vizitave në Shqipëri të opozitarëve kosovarë e përmbylli Ramush Haradinaj.

Kreu i  AAK-së dhe kryeministri Rama kaluan hidhërimet dhe ia shtrinë dorën njëri-tjetrit.

Krasniqin, Abdixhikun dhe Haradinajn, kryeministri shqiptar i takoi brenda më pak se një muaji.

E, sipas pjesëmarrësve në këto takime aty është diskutuar rreth rritjes së bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

Mirëpo, në Kosovë njohës të zhvillimeve politike vlerësojnë se prapa këtyre takimeve mund të fshihet diçka tjetër.

Artan Muhaxhiri përmend rolin që Rama mund të ketë për të ndryshuar përbërjen e Qeverisë së Kosovës, e cila udhëhiqet nga Albin Kurti, me të cilin Rama nuk ka raporte të mira.

“Nëse z. Rama merr kërkesa nga aleatët tanë ndërkombëtarë për ndonjë ide e cila sipas tyre gjithsesi që do të duhej të ishte më e dobishme për Kosovën posaçërisht sa i përket avancimit të agjendës evropiane sepse shihet që ajo është bllokuar totalisht, atëherë natyrisht se ai mund t’ia japë të drejtën vetes që të kontribuojë në ndonjë ndryshim…Gjithsesi, ndryshim në Qeveri dhe ndryshim në rrugën evropiane të Kosovës”, ka deklaruar për RTV Dukagjinin, Artan Muhaxhiri.

Qëllimi tjetër i Ramës, sipas analistit Muhaxhiri, është që ta dëshmojë edhe publikisht që nuk ka mosmarrëveshje me të gjithë liderët e Kosovës, përveç me Kurtin.

Por, ndryshe mendojnë njohës të zhvillimeve në Shqipëri.

Opinionisti Ben Andoni thotë se takimet me opozitarët nga Kosova, Rama i ka zhvilluar me qëllim që të përmirësojë pozicionin e tij në sytë e kosovarëve.

“Për të treguar realisht që sido që të jetë, Kosova identifikimin e vendit amë që ka Shqipërinë dhe identifikimin e personazhit kryesor i cili mund të shërbejë si një lloj personaliteti mbi palët, është vet ai z. Rama. Një lloj kulti i individit por i rregulluar dhe në mjedisin kosovar dhe Kosova ta shikojë z. Rama si personalitetin i cili mund të jetë mbi palët”, deklaroi Andoni, përcjell Telegrafi.

Tre opozitarët gjatë vizitave të tyre në Shqipëri takuan edhe zyrtarë e politikanë të tjerë.

Në anën tjetër, Kurti dhe Rama, për herë të fundit janë takuar në shtator kur kryeministri shqiptar erdhi në vizitë zyrtare në Prishtinë.

Të tjera takime ndërmjet tyre janë zhvilluar por jashtë Kosovës e Shqipërisë, në forume të ndryshme ndërkombëtare. /RTV Dukagjini/Telegrafi/